image Kosovarët 'merakli' të mbajtjes së armëve pa leje

Siguri

Kosovarët ‘merakli’ të mbajtjes së armëve pa leje

news image

Rastet kur Policia e Kosovës has në personat që mbajnë armë pa leje janë në rritje e sipër dhe kjo vazhdimisht e cenon sigurinë e qytetarëve të vendit si dukuri negative, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur në fshatin Milloshevë të Obiliqit, pas orës policore, rreth 22:30.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se gjatë kontrollit në automjetin e një personi të dyshuar, është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me tetë copë fishekë.

Po ashtu, një rast tjetër ka ndodhur dje në rrugën “Rilindja Kombëtare” në Prishtinë, rreth orës 12:30, pasi policia gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarit ka gjetur dhe konfiskuar disa armë të ftohta.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se është konfiskuar një shufër metalike, sprej dhe thikë.

Gjithashtu, një incident i tillë ka ndodhur dje edhe në qytetin e Malishevës, më saktësisht në rrugën “Ibrahim Mazreku”, rreth orës 14:00, pasi policia gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarit, ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me 24 copë fishek.

Kur jemi te armëmbajtjet pa leje, një rast ka prekur edhe Anamoravën, më saktësisht në fshatin Drobesh të Vitisë,  pasi burimet e Sinjalit brenda PK-së, bëjnë të ditur që është arrestuar një i dyshuar, pasi të njëjtit i është konfiskuar një pistoletë.

Ndryshe, kjo vepër e armëmbajtjes pa leje në vendin tonë, dënohet në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

/Gazeta Sinjali/