Kontrabanda me migrantë në Kosovë po vazhdon, dukuri kjo e cila po luftohet nga organet e ndjekjes dhe hetuesisë.
Shpesh herë shohim migrantë të ndryshëm në vendin tonë që e përdorin si vend transit për të shkuar në vendet e zhvilluara evropiane.
Gazeta Sinjali mëson se rreth 400 migrantë të paligjshëm kanë hyrë sivjet në Kosovë, derisa janë arrestuar mbi 50 persona të përfshirë për këto raste.
Nga Policia e Kosovës tregojnë për Gazetën Sinjali se në vazhdimësi ndërmarrin aktivitetet, plane operative dhe veprime policore në luftën kundër kontrabandimit me migrant, duke përfshirë edhe parandalimin e kontrabandimit të shtetasve të huaj, të cilët Republikën e Kosovës shpesh po e shfrytëzojnë edhe si vend transit më pastaj për të vazhduar drejt vendeve të Bashkimit Evropian (BE-së).
Policia tregojnë se në periudhën kohore janar-qershor 2022 në Republikën e Kosovës kanë hyrë në mënyrë ilegale 390 migrantë të parregullt, ndërsa në vitin 2021 në RKS kanë hyrë në mënyrë ilegale 1422 migrantë.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, tha se po vazhdojnë luftën e kontrabandës me migrantë, ku vetëm këtë vit Policia e Kosovës ka arrestuar 50 persona dhe ka identifikuar 288 viktima.
Nga Këshilli Gjyqësor, tregojnë se gjatë vitit të kaluar gjykatat kanë dënuar 35 person, 11 prej tyre janë dënuar me burg, 9 me gjobë, 7 me kusht, ndaj një personi ka qenë aktvendimi lirues, 7 raste janë zgjidhur në mënyra tjera sipas personave.