image Kosova nuk mund të prodhojë teste për koronavirus, varet nga importi

Kosovë

Pandemi/ Kosova nuk mund të prodhojë teste për koronavirus, varet nga importi

news image

Shumë shtete tashmë kanë filluar të prodhojnë teste për të identifikuar COVID-19 për të mos krijuar varësi nga importi, por zyrtarë shëndetësorë në Kosovë thonë se vendi aktualisht nuk ka kushte për t’i prodhuar vetë.

Isme Humolli, zyrtare për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë tha se me kapacitetet që ka, Kosova nuk mund të jetë një vend që mund të prodhojë reagenca (substancë që ndikon në kryerjen e një reaksioni apo analize), pasi që kjo procedurë kërkon pajisje, ekspertizë, ambient dhe infrastrukturë të veçantë.

Kjo nënkupton se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) pohon se ka mbështetur Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, por gjithsesi, siç thotë zonja Humolli, sasia e reagencave që vjen nuk i përmbush gjitha nevojat dhe kërkesat e institucioneve të Kosovës.

“Fatkeqësisht departamenti i Mikrobiologjisë e posedon vetëm një pajisje dhe për ekstradimin e viruseve (nxjerrjen e virusit prej strishos) e bën me dorë, gjë që kërkon kohë të gjatë”, thotë Humolli, e cila gjithashtu shpjegon se OBSH-ja ka porositur një pajisje të veçantë për një punën të tillë, mirëpo për shkak të situatës aktuale arritja e dërgesës në Kosovë do të marrë kohë.

Kosova ka rreth 1,000 teste dhe pret edhe 7,000 të tjera

Këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Mirsad Shkreta, tha se testet për COVID-19, që i kanë blerë nga kompanitë private kanë ardhur nga Gjermania, Anglia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas ligjit, Ministria e Shëndetësisë nuk ka të drejtë të blejë teste, nëse një kompani farmaceutike nuk ka përfaqësi në Kosovë.

Kjo nënkupton se shteti i Kosovës nuk lidh kontratë drejtpërdrejt me kompanitë botërore, por me kompanitë farmaceutike vendore, që i përfaqësojnë barnat e tyre të regjistruara në Kosovë.

“Ne si Ministri e Shëndetësisë hapim konkurs publik për kompanitë farmaceutike vendore. Ata operatorë apo kompani farmaceutike që operojnë në Kosovë, na ofrojnë neve produktin në bazë të rekomandimeve që vijnë nga Instituti i Shëndetit Publik. Aktualisht ne i kemi 1 mijë teste në stok, 7 mijë janë në ardhje e sipër, dhe po presim që në ditët ne vazhdim ta nënshkruajmë edhe një kontratë për 10 mijë teste të tjera. Të gjitha këto teste vijnë nga Anglia, Gjermani dhe Amerika”, tha Shkreta.

Shkreta tha se Kosova nuk ka kapacitete të prodhojë vetë teste, ndonëse e pranon se kjo çështje nuk është diskutuar asnjëherë brenda institucionit që ai punon.

“Për aq njohuri që i kemi, Kosova nuk ka kapacitete të tilla. Mundet dikush të na befasojë ndoshta për të mirë, por deri më tash nuk kemi informata që dikush mund ta bëjë një gjë të tillë”, tha ai për REL.

Ndryshe, në mungesë të testeve për koronavirusin e ri, pasi e gjithë bota po i kërkon ato, shumë shtete kanë filluar t’i prodhojnë brenda territorit të tyre përmes kompanive private. Prodhimi i tyre kushton shumë dhe mund ta bëjnë vetëm kompani të mëdha të cilat prodhojnë edhe teste për të identifikuar viruse të tjera.

Problemi më i madh mbetet sa janë të sakta ato teste. Futja e tyre në treg kërkon një kohë të gjatë testimi dhe kontroll nga qeveritë.

Një pjesë e madhe e testeve që janë prodhuar në Kinë dhe janë shpërndarë në disa shtete, duke përfshirë edhe SHBA-në, thuhet se kanë qenë false dhe se ekziston rreziku që personat e testuar mund të jenë me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri, edhe pse testi ka dalë negativ.