Më 10 dhjetor të këtij viti në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon-Taubadel, prezantoi raportin për Kosovën, shkruan Gazeta Sinjali.
Ky raport u konsiderua i pabalancuar, “i verbër” dhe ideologjik nga eurodeputeti francez, Thierry Mariani.
Sipas Marianit, Kosova është rajon i Serbisë, të cilin BE nuk është dashur asnjëherë të ua lë në dorë udhëheqësve të sotëm të saj.
Ai deklaroi se Kosova është kancer i Ballkanit sot, një vend ku bëhet trafikim i qenieve njerëzore dhe i organeve.
Mariani po ashtu e kundërshtoi mundësinë e liberalizimit të vizave, pasi që, sipas tij, Kosova është një vend mafioz që po përkrahet nga BE.
Por, këto deklarata të tij, sipas Ambasadës së Francës në Kosovë, nuk i angazhojnë autoritetet franceze.
“Këto deklarime të z.Mariani nuk i angazhojnë në asnjë mënyrë autoritetet franceze”, thuhet shkurt në përgjigjen e kësaj ambasade në pyetjet e Gazetës Sinjali, nëse kjo ambasadë distancohet nga deklaratat e tilla dhe se cili është qëndrimi zyrtar i Francës sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Se deklaratat e eurodeputetit francez nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Francës, për Gazetën Sinjali, patën thënë edhe nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.
Në përgjigjen e tyre thuhet se marrëdhëniet bilaterale mes të dyja vendeve janë shumë të mira dhe se mbështetja e Francës ndaj shtetit të Kosovës është rikonfirmuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili më 19 nëntor të këtij viti përmes një video-konference i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit, Avdullah Hoti, për ta vizituar Kosovën./Gazeta Sinjali/