image Ambasada e Francës nuk distancohet nga deklaratat e eurodeputetit francez i cili e quajti Kosovën “shtet mafioz”

Politikë

Ambasada e Francës nuk distancohet nga deklaratat e eurodeputetit francez i cili e quajti Kosovën “shtet mafioz”

news image

Në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ku dje u prezantua raporti për Kosovën, eurodeputeti francez, Thierry Mariani, tha se qytetarëve të Kosovës nuk duhet t’u liberalizohen vizat, pasi që, sipas tij, Kosova është një shtet mafioz, kancer i Ballkanit, ku bëhet trafikimi i qenieve njerëzore dhe i organeve.

Por nga këto deklarata të tij nuk është distancuar Ambasada e Francës në Kosovë.

Kjo ambasadë nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës Sinjali nëse distancohet nga këto deklarata dhe në pyetjen se cili është qëndrimi zyrtar i Francës sa i përket procesit të tejzgjatur të liberalizimit të vizave.

Ndërkaq nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës kanë refuzuar t’i komentojnë këto deklarata, por për Gazetën Sinjali kanë thënë se këto deklarata nuk paraqesin qëndrimin zyrtar të Francës.

Në përgjigjen e tyre thuhet se marrëdhëniet bilaterale mes të dyja vendeve janë shumë të mira dhe se mbështetja e Francës ndaj shtetit të Kosovës është rikonfirmuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili më 19 nëntor të këtij viti përmes një video-konference i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit, Avdullah Hoti, për ta vizituar Kosovën.

“Qeveria e Kosovës nuk komenton deklarimet e eurodeputetëve por, mund të konfirmojmë se ato deklarata nuk paraqesin qëndrimin zyrtar të Francës. Republika e Francës ka qenë ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve janë shumë të mira në çdo fushë me interes të ndërsjellë. Ju rikujtojmë se me 19 nëntor 2020, gjatë një video konferencë me kryeministrin Hoti, presidenti Macron ka rikonfirmuar mbështetjen për Kosovën dhe i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Hoti, për vizitë shtetërore në vendin tonë”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së për Gazeta Sinjali.

Ndërkaq, sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, nga kjo zyrë kanë thënë se janë në kontakte direkte me disa vende, përfshirë edhe Francën.

“Ndërsa sa i përket liberalizimit të vizave, Qeveria e Kosovës i ka plotësuar të gjitha kriteret  e kërkuara nga Komisioni Evropian, kjo është vërtetuar edhe në Raportin për Kosovën i cili është publikuar në shtator të këtij viti. Qeveria e Kosovës vazhdon të jetë në kontakte direkte me vendet specifike për të adresuar brengat e tyre lidhur me këtë proces. Kjo vlen edhe për Francën me të cilën kemi pasur takime të nivelit teknik dhe politik.”

Për deklaratat e eurodeputetit francez, Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje edhe në adresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje./Gazeta Sinjal/