image Kontrolle e provime shtesë - pasojat që do t’i bartin studentët kosovarë pas përjashtimit nga ENQA

Kosovë

Arsim/ Kontrolle e provime shtesë – pasojat që do t’i bartin studentët kosovarë pas përjashtimit nga ENQA

news image

Studentët kosovarë do të përballen me pasoja të rënda pas përjashtimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), shkruan Gazeta Sinjali.

Pë tu regjistruar në studimet master ose për doktoraturë në universitetet evropiane, studentëve kosovarë do t’iu duhet të kalojnë nëpër shumë filtra.

Drejtori Ekzekutiv i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Rron Gjinovci ka thënë për Gazetën Sinjali se tash e tutje do të ketë kontrolla shtesë, e ndoshta edhe provime shtesë për studentët.

“Duke qenë Agjencia e Kosovës për Akreditim, pjesë e hapsirës Evropiane për Sigurim të Cilësisë, përmes anëtarësisë që e ka pasë në ENQA dhe EQAR prej ku është përjashtuar tash, të gjitha diplomat që janë fituar nga institucionet e arsimit të lartë, të cilat kanë qenë të akredituara nga Agjencia, janë pranuar automatikisht në gjithë Evropën. Tash e tutje do të ketë kontrolla shtesë, do të ketë ndoshta edhe provime shtesë për studentët kur të regjistrojnë master ose doktoraturë në hapsirën evropiane”, ka thënë Gjinovci për Gazetën Sinjali.

Sipas tij, pas këtij përjashtimi të Kosovës nga ENQA, pasojat do t’i bartin studentët të cilët regjistrohen në programet që do të akreditohen pas viti 2019.

Edhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci, ka thënë se studentët e diplomuar në Kosovë do të kenë të vështirësi serioze ta vazhdojnë karrierën profesionale në vendet evropiane.

“Diplomat e studentëve që duan t’i vazhdojnë studimet në universitetet evropiane do t’i nënshtrohen një verifikimi më rigoroz, si dhe diplomat e atyre që dëshirojnë të bëjnë karrierë profesionale në këto vende”, ka deklaruar Pupovci për Gazetën Sinjali.

Ai ka theksuar se pasoja më e madh e këtij përjashtimi është se tash e tutje institucionet e arsimit të lartë në Kosovë mbesin pa mbikëqyrje ndërkombëtare.

E për gjithë këtë situatë të krijuar në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë, nuk ka qenë në dijeni Ministria e Arsimit, e cila përmes një komunikate ka theksuar se për përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), kanë dëgjuar vetëm përmes mediave.

Në anën tjetër, me këtë vendim është pajtuar Këshilli Shtetëror i Cilësisë, i cilët i vlerëson absolutisht korrekte të gjeturat e ENQA-s për sistemin e arsimit në Kosovë.

Blerim Rexha, ish-kryetar i Këshillit Shtetëror të Cilësis, i shkarkuar nga kryeministri Haradinaj, ka kujtuar edhe vendimin e vitit 2018, kur AKA u përjashtua nga EQAR, pas kërkesës së kryeministrit Haradinaj për shkarkimin e bordit të AKA-së, që u zbatua nga ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi.

Më 23 shtator të vitit 2017, kryeministri Ramush Haradinaj kishte marr një vendim per shkarkimin e bordit të AKA-së, me arsyetimin se procesi i akreditimit të arsimit të lartë po përcillej me parregullsi serioze.

Më 19 prill të vitit 2018, Agjencisë Kosovare të Akreditimit i ishte degraduar statusi brenda Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), nga anëtare me të drejta të plota në anëtare nën shqyrtim.

Ndërsa, dje u bë i ditur njoftimi se ky asociacion (ENQA) ka përjashtuar tërësisht nga anëtarësia Agjencinë e Kosovës për Akreditim./Gazeta Sinjali/