image Konfiskohen afër 2 mijë euro të falsifikuara në një bankë në Prishtinë

Siguri

Konfiskohen afër 2 mijë euro të falsifikuara në një bankë në Prishtinë

news image

Policia e Kosovës nëpërmjet raportit 24 orësh ka bërë të ditur se kanë ndodhur gjashtë raste të falsifikimit të parasë, shkruan Gazeta Sinjali.

Pesë raste kanë ndodhur në bankën e njëjtë në rrugën “Robert Doll” në Prishtinë, ku vlera e tyre është rreth 1 mijë e 900 euro dhe vetëm një ka ndodhur në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, ku vlera e saj ka qenë 100 euro.

Rasti i parë ka ndodhur me datë 03 gusht të vitit 2021, ku punëtorja e bankës ka raportuar se një klient i bankës kishte deponuar një kartëmonedhë në vlerë 500 euro, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njësiti policorë ka sekuestruar monedhën në fjalë dhe rasti është duke u hetuar ende.

Rasti i dytë ka ndodhur të nesërmen në po të njëjtën bankë, ku punëtorja e bankës ka raportuar sërish se një klientë kishte deponuar një kartëmonedhë në vlerë 500 euro e që dyshohet të jetë e falsifikuar. Monedha është sekuestruar si dhe rasti është duke u hetuar.

Me datë 06 të muajit gusht të vitit të kaluar, nga e njëjta bankë Policia njofton se një klient kishte deponuar para të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara.

Ndërkohë, me datë 22 të muajit shkurt, nga e njëjta bankë janë lajmëruar në Polici se një klientë kishte deponuar një kartëmonedhë me vlerë 200 euro, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Njësiti policorë bëhet e ditur se ka sekuestruar kartëmonedhën dhe rasti është duke u hetuar.

Rasti i pesë i paraqitur në këtë bankë ka ndodhur me datë 16 të muajit dhjetor, ku ankuesja e cila ishte punëtore e bankës ka raportuar se një klientë kishte deponuar një kartëmonedhe në vlerë prej 100 euro, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.

Ndërkaq, rasti i gjashtë ka ndodhur në qytetin e Ferizaj, konkretisht në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, ku punëtori i bankës është ankuar në Polici se një klient kishte deponuar një kartëmonedhë në vlerë prej 100 euro, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njësiti policorë e ka sekuestruar monedhën në fjalë dhe rasti është ende duke u hetuar.

/GazetaSinjali/