Gjatë ditës së sotme presidentja e vendit, Vjosa Osmani është takuar me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ku lidhur me këtë takim Presidenca e Kosovës ka treguar detaje rreth takimit.
Në komunikatën për media thuhet se presidentja e Kosovës ka thënë që Procesi i Berlinit është e vetmja rrugë drejt bashkëpunimit rajonal, duke hedhur poshtë mundësinë për bashkim në iniciativën e Ballkanit të Hapur.
Në këtë takim, Presidentja Osmani dhe kryeministri Abazoviq kanë diskutuar për raportet bilaterale në mes të dy shteteve dhe mundësitë për avancimin e mëtutjeshëm të tyre.
Presidentja Osmani ka thënë se Kosova e vlerëson dhe e përkrah bashkëpunimin me Malin e Zi në të gjitha fushat, duke theksuar edhe mundësinë për shkëmbim të përvojave për procesin e integrimit evropian.
Në komunikatë bëhet e ditur se presidentja Osmani ka kërkuar përkrahjen e qeverisë së Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në veçanti, si dhe në organizata ndërkombëtare në përgjithësi.
“Presidentja Osmani dhe Kryeministri Abazoviq theksuan edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit në mes të vendeve të rajonit e me këtë rast. Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e bashkëpunimit të ndërtuar mbi premisat e barabarësisë dhe gjithpërfshirjes, si dhe faktin se Kosova përkrahë vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të procesit të Berlinit. Ndërlidhur me zhvillimet në Evropë si pasojë e luftës në Ukrainë, dy liderët diskutuan edhe për rëndësinë e vazhdueshme të koordinimit të veprimeve me Bashkimin Evropian në raport me agresionin rus në Ukrainë”.