image Komuna e Malishevës thotë se i infektuari i fundit me koronavirus punon jashtë vendit

Shëndetësi

Komuna e Malishevës thotë se i infektuari i fundit me koronavirus punon jashtë vendit

news image

Pas gati një muaj, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar sonte edhe një rast pozitiv me koronavirus në Komunën e Malishevës, shkruan Gazeta Sinjali.

Nga komuna përmes një njoftimi për media kanë thënë se pacienti i cili u konfirmua sonte punon jashtë vendit.

“Në bazë të analizave të publikuara sot nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP), edhe një person nga Komuna e Malishevës, ka rezultuar pozitiv me COVID-19, por për të qenë të drejtë me qytetarët, ju bëjmë me dije se qytetari i konfirmuar sot me COVID-19, është kthyer në vendin e tij ku jeton me familje dhe punon jashtë vendit, pra nuk gjendet në Malishevë”, thuhet në njoftimin e komunës.

Më tej, në njoftim thuhet se Shtabi Komunal Emergjent për Menaxhimin e Situatës me pandeminë COVID-19 në Malishevë, është në dijeni për rastin dhe është në kontakt me personin, i cili e ka konfirmuar se ka udhëtuar për në vendin ku jeton me familje dhe punon atje.

“Testi i është bërë ditë më herët dhe i njëjti për shkak të obligimeve në punë, nuk ka mundur të pres më gjatë për marrjen e rezultatit të analizës. Përndryshe, Shtabi Komunal, edhe njëherë ju bën thirrje të gjithë qytetarëve, që të vazhdojnë të respektojnë masat mbrojtëse kundër COVID-19, duke mbajtur distancën sociale, të mbajnë maskat mbrojtëse dhe të mbajnë higjienën e nevojshme”, përfundon njoftimi./Gazeta Sinjali/