Në Komunën e Malishevës e cila është komuna e dytë në Kosovë e prekur më së shumti nga koronavirusi, numri i të shëruarve sonte ka shkuar në 23, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo është bërë e ditur nga faqja e kësaj komune në Facebook.
Sipas këtij njoftimi, sot janë shëruar dy persona të cilët kanë qenë të prekur me koronavirus, duke e çuar në 23 numrin e përgjithshëm të të shëruarve në këtë komunë.
“Sipas konfirmimit zyrtar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, edhe dy persona të tjerë nga Komuna e Malishevës, ish të prekur me COVID-19, janë shëruar dhe me këtë numri i të shëruarave rritet në 23 persona të shëruar. Shërimin e dy personave nga Komuna e Malishevës, e ka konfirmuar drejtori i IKSHP-së, prof.Naser Ramadani, në komunikim me nënkryetarin e komunës, Hajdin Berisha”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.
Nga 31 raste pozitive që u konfirmuan sonte nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), asnjë rast nuk ishte nga Malisheva.
Sonte, 15 prej këtyre rasteve ishin nga Komuna e Ferizajt të cilët e vendosën këtë të fundit para Malishevës, komunë e cila ishte me më së shumti raste me koronavirus në vend.
Deri tani, në Komunën e Malishevës kanë rezultuar pozitivë 70 raste, 23 prej të cilëve janë shëruar, kurse një ka vdekur./Gazeta Sinjali/