Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut përmes një njoftimi për media ka thënë se shtrenjtimi i energjisë elektrike do të jetë shkatërrues për ekonomitë familjare.
KMDLNJ ka kërkuar nga qeveria që t’i kërkoj ZRRE-së të tërheq rritjen e çmimit.
Nga KMDLNJ kanë thënë se zbatimi i rritjes së çmimit të energjisë elektrike nuk është asgjë përveç se ftesë për protesta të mëdha.
“Në kohën kur nuk ka asnjë rritje të pagave , kur ndihmat sociale të kamufluara si pensione kanë një rritje turpëruese , kur të gjithë artikujt ushqimorë , higjienikë dhe të tjera sikur edhe të gjitha shërbimet janë rritur shumë dhe në mënyrë të pakontrolluar vazhdojnë të rriten , të propozosh , të pranosh dhe ta zbatosh rritjen e çmendur të çmimit të energjisë elektrike nuk është asgjë përveçse ftesës së provokuar për protesta të mëdha sociale e që , pa asnjë dyshim do të instrumentalizohen politikisht e që nënkupton një krizë të madhe politike dhe pasiguri të përgjithshme që nuk do të mbahet nën kontrollë . Duhet ta kemi të qartë se rritja e propozuar e çmimit të rrymës pashmangshëm dhe në mënyrë automatike do të prodhojë rritjen e çmimeve për të gjithë artikujt ushqimorë dhe të gjitha shërbimeve”, thuhet në reagim.
KMDLNj ka treguar se ka kërkuar që urgjentisht të ndërpritet pagesa e faturave për serbët në veri të Kosovës gjë që sipas tyre, jo se nuk është bërë por ZRRE –e ka kërkuar nga qeveria e Kosovës afërsisht 30 milionë euro për të paguar rrymën për serbët e veriut të Kosovës , për vetëm tre muaj.
Sipas KMDLNJ, Kosova është në situatë shumë të rënduar energjetike si pasojë e krizës globale dhe ngritjeve të mëdha të çmimeve të energjisë elektrike në tregun botëror andaj sipas tyre, ka qenë e pritshme që edhe këtu të ketë rritje të çmimit për ta ruajtur qëndrueshmërinë e furnizimit , pasi filluan reduktime të mëdha .
“Për këta që shpenzojnë deri në 600 kW ka subvencionim kurse qytetarët e dorës së dytë dhe të tretë sipas ZRRE –së dhe qeverisë së Kosovës e që shpenzojnë 800 , 1000 e më shumë kW përveç çmimeve të kripura do të ketë edhe shtesa ndëshkuese që , përveçse është e kundërligjshme , është e pamoralshme dhe në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut. Këto veprime dhe kërkesa përtej çdo mundësie reale për t’i përballuar , deputetët e Kuvendit të Kosovës , pavarësisht partisë politike që i takojnë , si përfaqësues dhe mbrojtës të interesit të qytetarëve duhet t’i kundërshtojnë duke kërkuar nga qeveria e Kosovës që të gjejë një rrugë ku , edhe do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike por që do të ishte e përballueshme për qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre./GazetaSinjali/