image KMDLNj reagon për vendosjen e kamerave në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan - Sinjali

KMDLNj reagon për vendosjen e kamerave në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan

news image

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar në lidhje me vendosjen e kamerave në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan.

Ata këtë e kanë cilësuar si shkelje flagrante të privatësisë së grave të privuar nga liria.

Në reagimin e tyre thuhet se “Kohë më parë u bë publike se në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan ishin vendosur kamerat që në mënyrë flagrante shkelin privatësinë e femrave të privuar nga liria. Pas kësaj u ndërmorën masat me ç’rast u suspenduan personat me përgjegjësi deri në çastin kur do të sqarohet rasti pas së cilës do të caktohet përgjegjësia apo do të lirohen nga përgjegjësia nëse dëshmohet se ka pasur bazë ligjore për këtë veprim”.

Kjo nga ana e tyre u cilësua edhe si tendencë për të mbajtur në kontroll edhe stafi korrektues si dhe të privuarit nga liria.

“Pastaj, i njëjti veprim u përsërit edhe në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë që flet për një tendencë që të mbahen në kontrollë edhe stafi korrrektues si dhe të privuarit nga liria. Dihet qartë se kur të privuarit mund dhe duhet të mbahen nën vëzhgim të kamerave prandaj çdo tejkalim i vëzhgimit të paarsyeshëm paraqet shkelje të privatësisë dhe shkelje të drejtave të njeriut. Personat e privuar janë të privuar nga disa të drejta të njeriut që kufizohen me ligj mirëpo jo edhe nga të gjitha të drejtat”, thuhet tutje në njoftim.

KMDLNj thërret institucionet përgjegjëse që të ndërprenë këto veprime, të bëhen hetimet dhe të ndërmerren masat në përputhje me shkeljet e dokumentuara.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin