Komuna e Lipjanit ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e Memorialit të UÇK-së në fshatin Shalë, projekt i cili do të realizohet me një vlerë prej 47,926 euro.
Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës, aktiviteti i prokurimit është zhvilluar përmes procedurës së hapur, ndërsa kriter për dhënien e kontratës ka qenë çmimi më i ulët.
Kontrata është nënshkruar më 9 korrik me operatorin ekonomik “NBT-ING” SH.P.K., i cili është shpallur fitues pas zhvillimit të procedurës së tenderimit.
Në këtë aktivitet janë pranuar gjithsej pesë tenderë, prej të cilëve katër janë vlerësuar si të përgjegjshëm.
Vlera e parashikuar e projektit ishte 65 mijë euro, ndërsa kontrata është lidhur për 47,926 euro, ose rreth 17 mijë euro më pak se fondi i planifikuar.
Projekti do të financohet nga buxheti i Komunës së Lipjanit dhe Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, ndërsa punimet pritet të përfundojnë brenda 90 ditëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!