Kjo javë pritet të sjell hapat e parë për krijimin e një qeverie të re. Dje gjatë ditës presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi paralajmëroi që do të ndërmarrë hapat e fundit kushtetues për formimin e qeverisë.
Në rrjetin social Twitter, Thaçi ka treguar se Qeveria e re do të jetë me legjitimitet të plotë nga Parlamenti, e aftë për ta luftuar përhapjen e Covid-19 dhe për t’i shërbyer popullit, shkruan Gazeta Sinjali/
Nga kjo deklaratë në Twitter, Thaçi e gjeti mbështetjen nga i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë për të ndërmjetësuar në dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell, i cili ka shtuar se porsa të hiqet taksa dhe masa e reciprocitetit, menjëherë do të fillojë dialogu në mënyrë intensive.
“Pasi të bien tarifat / reciprociteti (mbase këtë javë?), Atëherë Dialogu fillon me zell. Unë kam folur me liderët në Serbi dhe Kosovë për të sqaruar se ata duhet të fillojnë të ndërtojnë besim sot në përgatitje – dhe ata janë angazhuar ta bëjnë këtë”, ka shkruar Grenell në Twitter.
Ndërsa paralajmërimi i presidentit Thaçi dhe deklarata e ambasadorit Grenell u kundërshtuan nga Vetëvendosje. Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se ky paralajmërim i presidentit për formimin e një qeverie të re është përgatitje për një marrëveshje të re të keqe.
“Qëndrimi i tillë është paralajmërim i hapur se po përgatitet marrëveshje e keqe për vendin dhe e gjithë kjo paraprakisht përmes një plani të keq me qëllim të shkeljes dhe përmbysjes së vullnetit të qytetarëve”, deklaroi gjatë ditës së djeshme ministrja në detyrë Albulena Haxhiu.
Gjithashtu, zv/kryeministri në detyrë Haki Abazi, reagoi duke e pyetur Grenelli “Kosova e ka hequr taksën, pse nuk po e respektoni Qeverinë e Kosovës?”
“Tarifat janë hequr tashmë. Udhëheqësit dhe përfaqësuesit e vërtetë të popullit të Kosovës u zgjodhën më 6 tetor 2019. Pse po tregon mosrespektim për një vend miqësor demokratik dhe qeverinë e tij? Liderët në demokraci përcaktohen nga zgjedhjet dhe mbështetja, votat e njerëzve”, ka shkruar Abazi.
Kujtojmë se që nga mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti që u mbështet nga 82 deputetë më 25 mars 2020, Presidenti Hashim Thaçi ia ka kërkuar emrin e mandatarit Lëvizjes Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar për ta formuar Qeverinë e re. Mirëpo Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se është në pritje që të kalojë situata e krijuar nga Covid-19 dhe më pas vendi të shkojë në zgjedhje./ Gazeta Sinjali/