image Vaksinat e siguruara nga Pfizer, masat e reja e ngjarjet politike të javës që po lëmë pas

Kosovë

Vaksinat e siguruara nga Pfizer, masat e reja e ngjarjet politike të javës që po lëmë pas

news image

Disa ngjarje të rëndësishme janë zhvilluar gjatë kësaj jave që po lëmë pas, shkruan Gazeta Sinjali.

Më 28 maj, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka thënë se Kosova pret që deri në fund të vitit të pranojë 1.213.290 doza të vaksinës së kompanisë Pfizer.

Pas mbledhjes së Qeverisë që u mbajt këtë ditë, Vitia ka thënë se nga 15 qershori do të nisë së zbatuari plani i imunizimit në masë kundër koronavirusit.

Vitia po ashtu ka thënë se plani i imunizimit në masë parasheh dhënien e një numri mes “300 mijë dhe 400 mijë vaksinave në muaj”.

Kjo është kontrata e parë që Kosova ka arritur të nënshkruajë me ndonjë kompani farmaceutike për sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit.

Të enjten, Kosova ka pranuar një kontingjent prej mbi 100 mijë vaksinash të kompanisë Pfizer nga COVAX-i.

Ditë më parë, po ashtu Qeveria e Kosovës mori vendim për lehtësimin e masave kufizuese.

Nga nesër hiqet kufizimi i lirisë së lëvizjes dhe zgjatet deri në orën 23:00 orari i punës së kafeneve dhe restoranteve. Po ashtu, mbajtja e maskave nuk do të jetë e detyrueshme kur një person është vetëm në mjedise të jashtme.

Më 29 prill, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, NATO-ja nisi ushtrimi ushtarak “Defender Europe 21”, që është stërvitja me shkallën më të gjerë që është mbajtur në Ballkanin Perëndimor që nga Lufta e Dytë Botërore. Në këtë stërvitje morën pjesë mijëra forca nga Shtetet e Bashkuara, bashkë me Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Gjatë kësaj jave, më 28 maj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti kanë vizituar ushtarët e FSK-së të cilët i kanë vlerësuar lartë. Ata po ashtu kanë vlerësuar rëndësinë e pjesëmarrjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtrimin e NATO-s “Defender 21” derisa kanë theksuar rëndësinë e fuqizimit të partneritetit me vendet aleate në dobi të sigurisë dhe paqes në Evropë dhe botë.

Falë tyre, thanë ata, “Kosova është e sigurt në aspektin territorial”.

Më 27 maj, me 65 vota për, 3 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës shkarkuan bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ndërkaq, deputetët nuk kanë miratuar raportin vjetor të kësaj agjencie.

Me kërkesën e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në Kuvendin e Kosovës, të enjten, u diskutua për raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit si dhe shkarkimi i bordit të kësaj agjencie.

Po të njëjtën ditë, Kuvendi i Kosovës, emëroi kryetarin dhe anëtarët e Bordit të Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Më 28 maj, rreth 26 mijë nxënës në gjithë Kosovën i janë nënshtruar testit të arritshmërisë që mbahet pas përfundimit të klasës së nëntë.

Ministria e Arsimit në Kosovë ka kërkuar nga të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces, që të respektohen plotësisht rregullat dhe masat kundër COVID-19.

Rezultatet e testit të arritshmërisë pritet të shpallen më 7 qershor.

/Gazeta Sinjali/