Gazeta Sinjali përmes burimeve ka mësuar se drejtori i financave të Telekomit, Armend Osaj, zëvendës drejtori i financave, Isa Smajlaj dhe menaxheri i Thesarit, Naim Gashi, janë tre zyrtarët e Telekomit të cilët janë arrestuar sot gjatë operacionit të Policisë.
Gjithashtu sipas informacioneve, është duke u hetuar edhe kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istefi.
Gjatë ditës së sotme Departamenti i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës kanë kryer një operacion hetues në Telekomin e Kosovës, ku zëdhënësi Menduh Abazi për Gazetën Sinjali ka konfirmuar që operacioni ka ndodhur për shkak se një kompani private ka mashtruar telekomin.
Operacioni është zhvilluar lidhur me një rast mashtrimi që ka ndodhur para disa vitesh, ku një person, shtetas i Maqedonisë Veriore dyshohet se ka mashtruar Telekomin e Kosovës me anë të disa dokumenteve duke i marr 105 mijë euro.
“Telekomi i Kosovës ka iniciuar kallëzim penal për dyshimin për mashtrim, muaj më parë. Në momentin që ne kemi vërejtur dyshimin kemi ftuar organet kompetente, të cilët kanë ardhur dhe kanë zhvilluar hetimet”, është shprehur Abazi për Gazetën Sinjali./ Gazeta Sinjali/