Dy vëllezër kanë raportuar në Polici se janë rrahur nga pesë persona në oborrin e një lokali në fshatin Banjë të Istogut, në orët e para të mëngjesit të 8 majit, por kur një patrullë policore ka dalë në vendin e ngjarjes nuk është hasur asnjëra nga palët e përfshira.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se Policia ka arritur të arrestojë tre nga të dyshuarit, të cilët janë Haki Haziraj, Fatmir Haziraj dhe Zeqir Ramaj.
Ndërsa në arrati janë edhe dy të dyshuarit tjerë, Ahmet Haziraj dhe Ardian Goska.
Viktimat janë kontaktuar nga stacioni policor në Istog, me ç’rast janë dërguar në Emergjencë për trajtim mjekësor, për shkak të goditjeve që kanë pësuar nga të dyshuarit.
Njëri nga vëllezërit është rrahur me mjet të fortë, shufër metalike, duke pësuar lëndime trupore, ndërkaq tjetri me grushte.
Sinjali mëson se me vendim të prokurores kujdestare, Haki Haziraj, Fatmir Haziraj dhe Zeqir Ramaj janë dërguar në mbajtje, në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndërsa Ahmet Haziraj dhe Ardian Goska janë shpallur në kërkim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.