Gazeta Sinjali pak më parë raportoi ekskluzivisht se sot në orët e para të mëngjesit dyshohet se ka ndodhur një vjedhje në fshatin Carralevë të Shtimes, shkruan Gazeta Sinjali.
Një sinjalizues i Sinjalit ka dërguar fotografi dhe video nga vendi i ngjarjes ku dyshohet se ndodhi vjedhja e disa akumulatorëve dhe pajisjeve të tjera të punës, në orën 04:00 të mëngjesit.
Sipas sinjalizuesit “hajnat” që kanë hyrë për të vjedhur janë djem të axhës mes vete, ku njëri prej tyre ishte edhe ish-punëtor në kompaninë e personit që e raportoi rastin në Polici.
E gjithë kjo ngjarje sipas sinjalizuesit ka ndodhur me arsyen se ish-punëtori kinse nuk e kishte marrë rrogën nga kompania ku ka punuar dhe për t’u hakmarrë ndaj ish-pronarit dyshohet se kreu këtë vjedhje.
Tani, Gazeta Sinjali mëson se personat e dyshuar për këtë vjedhje janë Shefqet Uksmajli, rreth 32 vjeç dhe Ilir Uksmajli, rreth të 30-ave.
Rastin për Gazetën Sinjali e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale e Ferizajt, ku njoftuan se sipas të dyshuarit gjashtë akumulatorët janë vjedhur në emër të një borxhi të mëhershëm.
“Ankuesi ka raportuar se një person ia ka vjedhur gjashtë akumulatorë, rasti është duke u hetuar nga policia e Kosovës. I dyshuari ka deklaruar se ia ka marrë akumulatorët në emër të një borxhi të mëhershëm.”