image Këta janë dy të dyshuarit që u arrestuan pas përleshjes mes kushërinjve në Gjilan, i moshuari dyshohet se theri me thikë një 33-vjeçar

Siguri

Këta janë dy të dyshuarit që u arrestuan pas përleshjes mes kushërinjve në Gjilan, i moshuari dyshohet se theri me thikë një 33-vjeçar

news image

Gazeta Sinjali sot raportoi për një përleshje masive mes disa personave në fshatin Cërrnicë të Gjilanit, ku si pasojë një 33-vjeçar ka mbetur i plagosur pasi u ther me thikë. Nga konflikti mes kushërinjve, përfunduan në spital edhe pesë persona tjerë, përfshirë dy gra, ndërsa u arrestuan dy persona.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se dy të arrestuarit janë Driton Rrusta 45-vjeçar dhe Xhelil Miftari 71-vjeçar.

Miftari dyshohet se ka goditur tri herë me thikë kushëririn e tij 33-vjeçar, i cili u dërgua me urgjencë në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

Përpos grushteve e thikës së kuzhinës në rast dyshohet se u përdor edhe një mjet pune ‘shati’, i cili bashkë me mjetin e mprehtë u sekuestruan nga Policia në cilësinë e provave materiale.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me shtrimin e një rruge, ku Miftari kishte insistuar se do e mbulojë atë me zhavor, por që ishte kundërshtuar nga dy viktimat.

Me urdhër të prokurorit, Rrusta dhe Miftari janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i dyshuari i tretë është liruar në procedurë të rregullt.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos aprovohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/