image Ekskluzive | Kërcënoi një grua, u përlesh me Policinë dhe iu gjet armë në trup – ndalohet 35-vjeçari në Klinë

Sinjalizime

Ekskluzive | Kërcënoi një grua, u përlesh me Policinë dhe iu gjet armë në trup – ndalohet 35-vjeçari në Klinë

news image

Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në qendër të Klinës, ku një person përfundoi në prangat e Policisë pasi dyshohet se kishte kërcënuar një grua, kishte sulmuar zyrtarët policorë dhe mbante armë me vete, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur më 8 qershor 2026, rreth orës 23:00, në rrugën “Abedin Rexha”, kur Policia ka pranuar një kërkesë për ndihmë nga një grua, e cila ka raportuar se po kërcënohej dhe shqetësohej nga një person.

Sipas burimeve të Sinjalit, patrulla policore ka reaguar menjëherë pasi ndodhej në afërsi të vendit të ngjarjes. Gjatë kontaktit me viktimën, ajo ka deklaruar se personi që po e kërcënonte posedonte edhe armë.

Kur zyrtarët policorë kanë tentuar ta intervistojnë dhe ta kontrollojnë të dyshuarin, ai dyshohet se ka reaguar dhunshëm, duke shtyrë njërin nga policët dhe duke tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes.

Pavarësisht urdhrave të policëve që të qetësohej dhe t’i nënshtrohej kontrollit, i dyshuari ka refuzuar bashkëpunimin dhe është përleshur fizikisht me zyrtarët policorë, të cilët janë detyruar të përdorin teknika të kontrollit fizik për ta vënë nën kontroll.

Gjatë kontrollit, në xhaketën e tij është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri. Sipas burimeve, i dyshuari ka pretenduar se arma ishte me leje, por nuk ka prezantuar ndonjë dokument që do ta autorizonte bartjen e saj.

Si pasojë e përleshjes, tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor.

Burimet bëjnë të ditur se problemet nuk kanë përfunduar as pas arrestimit. Pas shoqërimit në stacion policor, i dyshuari dyshohet se ka vazhduar me kërcënime ndaj zyrtarëve që kishin marrë pjesë në arrestimin e tij.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, ndaj Adnan Shalës është iniciuar rast për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”,Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, “Sulm” dhe “Kanosje”.

I njëjti është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/