image Këta janë dy personat e dyshuar për grabitjen në ‘Finca’ në Mitrovicë

Ekskluzive

Këta janë dy personat e dyshuar për grabitjen në ‘Finca’ në Mitrovicë

news image

Mesditën e djeshme, dy persona që kishin cak të kryenin një grabitje në institucionin mikrofinanciar ‘Finca’ në Mitrovicë, kanë terrorizuar punëtorët e kësaj kompanie. Nën kërcënimin e armës, dy të dyshuarit kanë arritur që të marrin rreth 1 mijë euro para të gatshme nga kasaforta. Pas veprimeve hetimore, ata kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet brenda Prokurorisë se dy të dyshuarit janë Dibran Dibrani 63-vjeçar dhe Safet Murseli 37-vjeçar.

Dibrani dhe Murseli pas kryerjes së veprës kanë ikur në drejtim të panjohur, duke menduar që do arrijnë të shpëtojnë nga duart e drejtësisë. Mirëpo nuk është vonuar shumë dhe ka qenë Dibrani ai i cili i pari është identifikuar dhe pas lokalizimit të vendndodhjes së tij, është arrestuar nga Policia.

Kërkimet për të dyshuarin e dytë, i cili ndodhej në arrati kanë vazhduar për orë të tëra. Murseli nuk e shijoi lirinë për shumë gjatë, pasi që sot rreth orës 10:00 të mëngjesit ka rënë në prangat e Policisë. Ai u arrestua në rrugën ‘Mbretëresha Teutë’ dhe më pas u shoqëruar në stacion policorë, ku para hetuesve ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet.

Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që dy të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Grabitje’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/