Gazeta Sinjali ka raportuar në vazhdimësi për një rast të rëndë te dhunës në familje, ku viktimë është një 23-vjeçare nga Vitia, e cila tash e një kohë dhunohet sistematikisht në forma të ndryshme nga tashmë ish-bashkëshorti i saj, Urim Avdiu. Ai tashmë është në duart e shtetit dhe ndaj tij është bërë i cili është bërë kërkesë për paraburgim.
Këtë e kanë të ditur për Sinjalin nga Prokuroria Themelore në Gjilan.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore ne Gjilan, ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit Urim Avdiu , për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara nga neni 202 të KPRK-së si dhe veprës penale mospërfillja e gjykatës nga neni 393 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe është dorëzuar ne Gjykatën Themelore ne Gjilan- dega në Viti.”
Avdiu i cili për një kohë ka jetuar dhe punuar në shtetet e jashtme, si Slloveni dhe Gjermani, edhe nga atje ka dhunuar psiqikisht ish-partneren e tij, të cilën vazhdimisht e ka kërcënuar me jetë.
Si recidivist i veprës ‘Dhunë në familje’, Avdiu është ndaluar disa herë nga Prokuroria, por që posa lirohej vazhdonte ta shqetësonte 23-vjeçaren.
Rasti i fundit për të cilin u arrestua, është denoncimi për publikimin e disa fotografive në rrjetin social Instagram, ku ish-bashkëshortja e tij shihet nudo.
Të njëjtat pamje, Avdiu dyshohet se ua ka dërguar edhe familjarëve të viktimës, ani pse të gjitha këto akuza i ka mohuar para hetuesve policorë.
Me urdhër të prokurorit, ndaj 26-vjeçarit është iniciuar rasti për veprat penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.