Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj tre të pandehurve, S.B., S.Z., dhe Sh. B., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge në bashkëkryerje”, si dhe, ndaj të pandehurit S.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas një komunikate për medie, Prokuroria bën të ditur se më 9 prill në Malishevë, në një kontroll rutinë nga zyrtarët policorë, në automjetin ku ishin të dyshuarit, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 2 kilogramë të ndara në katër qese të madhe plastike të mbushura me substancë në formë bari, të dyshuar narkotikë të llojit marihuanë, raporton Gazeta Sinjali.
“Prokuroria njofton se, më 09.04.2022, në Malishevë, të dyshuarit , S.B., S.Z., dhe Sh. B., duke vepruar në bashkëkryerje, pa autorizim dhe me qëllim të shitjes apo shpërndarjes kanë poseduar substanca të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge. Në bazë të një kontrolle rutinë nga zyrtarët policor, në automjetin ku ishin të dyshuarit, në pjesën e pasme prapa ulëses së shoferit janë gjetur katër (4) qese të mëdha plastike të mbushura me substancë në formë bari, të dyshuar narkotikë të llojit marihuanë, rreth dy (2) kilogramë, të cilat janë sekuestruar nga zyrtarët policor“, thuhet në raport.
Gjithashtu, i pandehuri S.B., më parë e deri më 09.04.2022, pa autorizim, ka mbajtur një elektroshok, ku i cili i është konfiskuar nga ana e policisë dhe dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1, të KPRK-së.