image “Kemi nevojë për gjithçka”/ 37-vjeçari nga Prishtina thotë se nuk ka para as për analiza mjekësore

Sociale

“Kemi nevojë për gjithçka”/ 37-vjeçari nga Prishtina thotë se nuk ka para as për analiza mjekësore

news image

Valbon Poroshtica, 37-vjeçari nga Hajvalia e Prishtinës, kërkon ndihmën e qytetarëve për t’i kryer analizat mjekësore. Ai thotë se familja e tij ka nevojë për gjithçka, për ushqim, veshmbathje dhe ilaçe.

37-vjeçari për Gazetën Sinjali tha se është operuar dy herë nga ulçera në stomak. Herën e fundit ai është operuar më 25 shtator të këtij viti. Ndërkohë që para dy javësh ka kaluar edhe koronavirusin, i cili thotë se ia ka dëmtuar mushkritë, por nuk ka para për analiza mjekësore dhe trajtimin e tyre.

Analizat ai është dashur t’i kryente dy ditë më parë, por për shkak se nuk kishte të holla nuk i ka bërë fare.

 “Para dy jave e kom kalu COVID-in. Sot dy javë bëhen që e kom kry COVID-in. Dy herë jam operuar nga ulçera. Për herë të parë jam operu më 17 nëntor 2008, herën e dytë më 25 shtator 2020, prej ulçerës. Po tash jam shumë keq, se edhe idhëzën ma ka dëmtu edhe zorrët. Ma kanë dëmtu zorrën 12-gishtore. Po çka është më e keqja edhe gruan e kam smutë prej unazave. Na jemi shumë keq. Ne, shkurt e shqip, kemi nevojë për ushqime, veshmbathje për ilaçe. M’i ka shkru mjeku me i bo disa analiza, nuk kom pasë me çka me i bë, i kom lon”, tha Valboni për Gazetën Sinjali.

Valboni tha se jeton pa asnjë të ardhur me gjyshen e tij 95-vjeçare e cila është e palëvizhme, bashkëshorten, e cila vuan nga problemet me shtyllën kurrizore dhe vajzën 7 vjeç e gjysmë.

Ai tha se ndihmë sociale nga shteti ka marrë deri para 2 viteve e gjysmë, kur e bija e tij mbushi 5 vjeç, me ç’rast ju ndërpre kjo ndihmë, të ardhurat e vetme për familjen Poroshtica.

Ai shpreson se dikush do t’i ndihmojë, pasi që thotë se gjendjen e ka shumë të vështirë dhe nuk ka asnjë mundësi t’ia dalë i vetëm.

“Nashta del dikush e na nihmon, se nuk kom pasë me çka me i bo analizat, e lash nuk i bona hiq. Jam i martuar, e kam një vajzë, 7-vjeç e gjysmë. Gjyshja është e palëvizshme, 95-vjeçare. Na kemi nevojë për gjithçka, për ushqim, për veshmbathje, për ilaçe.  Nuk marrë as ndihmë sociale. Kam marrë derisa i ka bë çika 5 vjet. Si i ka bë çika 5 vjet, m’i kanë ndalë. Na kanë ndihmu njerëzit. Po qe, unë mbeta pa i bë analizat se më kanë kushtu shtrenjtë, nuk i bëna hiq. M’i kish prekë mushkëritë COVID-i. Testi i dytë më ka dalë negativ, por kur kesh prapë mjeku më tha se COVID-i t’i ka dëmtu mushkëritë, duhet me u trajtu prapë, veç njëherë duhet me i bë disa analiza. Ata që e lexojnë Gazetën Sinjali besoj që na dalin në ndihmë inshallah. Nuk po di çka të them tjetër, jemi shumë keq. Kushdo mundet me ardhë me e pa. Kemi nevojë për gjithçka”, përfundoi 37-vjeçari.

Kushdo që ka mundësi ta ndihmojë Valbonin, mund të kontaktojë personalisht me të në numrin +383 45 466 044./Gazeta Sinjali/