image Katër raste të dhunës të raportuara në Polici gjatë 24 orëve të fundit

Siguri

Katër raste të dhunës të raportuara në Polici gjatë 24 orëve të fundit

news image

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë raportuar katër raste të dhunës në familje, shkruan Gazeta Sinjali.

Rastet kanë ndodhur në Suhodoll, Prishtinë, Suharekë dhe Rahovec.

Rasti i parë raportohet se ka ndodhur dje, ku një person në Suhodoll ka sulmuar fizikisht motrën e tij, ku kësaj të fundit nga plagët e marra iu është ofruar edhe tretman mjekësor. Ndërsa, i dyshuari nuk është hasur nga policia, ku rasti sipas tyre është ende në hetime.

Rasti i dytë ka ndodhur në pasditen e djeshme në Prishtinë, ku një grua ka raportuar se ish-bashkëshorti i saj i ka shkaktuar dhunë psikike dhe ditëve të fundit e ka kanosur përmes SMS-ve në telefon. Lidhur edhe me këtë rast i dyshuari nuk është hasur nga policia. Ndërkohë, është konsultuar edhe prokurori i shtetit dhe rasti është ende në hetime.

Ndërkohë, në lidhje me rastin e dhunës në familje që ka ndodhur dje në Fushë-Kosovë, Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar që është i mitur. Pas intervistimit i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Rasti i tretë i dhunës në familje ka ndodhur dy ditë më parë në Suharekë, ku babai ka tentuar që vajzën e tij ta godas me shufër metalike, ku më pas i kishte dëmtuar edhe veturën e saj. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, rasti i fundit i raportuar në 24 orët e fundit ka ndodhur në Rahovec, ku nga Policia e Kosovës është cilësuar edhe “Kanosje” për shkak që një person dyshohet që ka ushtruar dhunë psikike dhe kërcënim ndaj bashkëshortes së tij. Në shtëpinë e tij, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka gjetur dhe sekuestruar pesë fishek të kalibrave të ndryshme, një karikator të zbrazët dhe një mjet të mprehtë. Në lidhje me rastin i dyshuari është dërguar në mbajtje./GazetaSinjali/