Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës janë raportuar katër raste të dhunës brenda familjes në rajonin e Prishtinës, shkruan Gazeta Sinjali.
Rastet e dhunës kanë ndodhur në rajonin e Prishtinës, dy në kryeqytet, një në Podujevë dhe një në Fushë-Kosovë.
Rasti i parë ka ndodhur në Fushë-Kosovë, ku është arrestuar një person, pasi që i njëjti sipas policisë është përdorues i narkotikëve. I dyshuari mbrëmë kishte kanosur dhe sulmuar prindërit e tij, gjithashtu kishte dëmtuar dritaret dhe disa orendi shtëpiake.
Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Rasti i dytë ka ndodhur në Prishtinë, ku dje rreth orës 09:00 ka raportuar në polici se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
Ndërkaq, rasti tjetër në Prishtinë, përveç dhunës në familje ka të bëjë edhe me keqtrajtim, ku një person është ankuar në polici se vazhdimisht është duke u keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht nga babai dhe vëllai i tij.
Sipas policisë, me vendim të prokurorit viktima është dërguar në organet kompetente për trajtim.
Rasti i fundit ka ndodhur mbrëmë në Podujevë, ku policia ka bërë të ditur se një vajzë e mitur ka pranuar tretman mjekësor, pasi që e njëjta është sulmuar fizikisht nga babai i saj. Rasti dyshohet se ka ndodhur shkaku i një mosmarrëveshje.
Ndërkohë, policia rastin e ka iniciuar si “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”./GazetaSinjali/