Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj katër personave që u kapën para dy ditësh si të dyshuar për shitblerje të drogës. Sinjali raportoi për aksionin e Antidrogës ku u kapën të dyshuarit, në disa lokacione në Prishtinë.
Kërkesa për paraburgim është bërë ndaj A.H., E.Gj., Q.A. dhe E.Gj., të dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
“Të dyshuarit fillimisht janë ndaluar me urdhër të prokurorit më 23.03.2022, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore në koordinim të plotë me Drejtorinë për Hetimin e Trafikimin me Narkotikë, derisa gjatë bastisjes dhe kontrollimit të objekteve të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar 2 kg 512 gr. substancë narkotike (marihuanë), 1 gr. substancë narkotike (kokainë), dy (2) peshore digjitale, katër (4) telefona celularë dhe 670 euro’, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, raporton Sinjali.