image Rasim Maloku dështimin e vet mundohet ta bartë te Supremja, e akuzon se ndikoi në hetimin e dy çështjeve penale

Drejtësi

Rasim Maloku dështimin e vet mundohet ta bartë te Supremja, e akuzon se ndikoi në hetimin e dy çështjeve penale

news image

Prokurori Rasim Maloku, i cili ka humbur betejën me ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, pasi Gjykata Themelore në Pejë nuk e përfilli kërkesën e tij dhe e liroi nga masa e paraburgimit kur u pagua dorëzania, ka lëshuar akuza në drejtim të Gjykatës Supreme, se ka ndikuar direkt në hetimin e së paku dy çështjeve penale, sa i përket masës së sigurisë. Ky siç duket është një dëshpërim i Malokut, pretendimet e të cilit u vlerësuan si të pabazuara, pasi nuk arriti të argumentojë me prova konkrete kërkesën e tij, raporton Gazeta Sinjali.

Në vendimin e siguruar nga Gazeta Sinjali thuhet se prokurori Maloku në deklaratën e tij ka insistuar që nuk kanë pushuar arsyet ligjore për vazhdimin e paraburgimit ndaj të akuzuarve në këtë rast, duke u arsyetuar se çdo masë tjetër është vështirë e menaxhueshme.

Maloku ka shkuar më tej, me ç’rast në elaborimin e kërkesës së tij që doli të jetë pa fakte dhe argumente konkrete, ka akuzuar Gjykatën Supreme se me aktvendimet për ndërprerjen e masave të paraburgimit, ka ndikuar drejtpërdrejtë në hetimin e rasteve të caktuara.

Supremen e ka goditur edhe gjatë deklarimit të tij lidhur me propozimet e mbrojtësve të të akuzuarve sa i përket dorëzanisë, duke deklaruar se arsyet për caktimin e paraburgimit nuk mund të supozojnë vendimin e Gjykatës.

Përveç Supremes, Maloku ka përmendur edhe Kushtetuesen, duke deklaruar se për shkak të vendimeve të këtyre dy gjykatave, ka pasur diskriminim faktik të të pandehurve, pasi njëri nga të akuzuarit në këtë çështje është liruar, kurse tjetri ka vazhduar të qëndrojë në paraburgim.  

“Prokurori i Shtetit nuk arriti të konkretizojë dhe argumentojë…” – Çka thuhet në vendimin e Gjykatës

Përkundër këtyre vendimeve dhe kërkesës së Supremes për arsyetim më të plotë lidhur me mos aplikimin e masave më të buta, Maloku edhe në seancën e fundit, ka insistuar që nuk kanë pushuar arsyet ligjore për vazhdimin e paraburgimit, duke u arsyetuar se çdo masë tjetër është vështirë e menaxhueshme.

Megjithatë kërkesa e prokurorit që i dha famë pikërisht nisja e aksioneve që nga rasti ‘Brezovica 1’ e në vazhdimësi, nuk u aprovua dhe Gjykata vlerësoi se në këtë fazë të procedurës penale, sa i përket bazave të artikulueshme, konsideron se disa prej tyre ende ekzistojnë, derisa të tjera tashmë kanë pushuar së ekzistuari.

Në vendimin e Gjykatës, ku u shpërfill ajo që kërkoi Maloku, thuhet se rreziku i ikjes dhe kushti tjetër për rrezikun në ndikimin e dëshmitarëve, dëshmitarëve bashkëpunues apo bashkëpandehur, nuk ekzistojnë. Kjo pasi që të njëjtit tashmë kanë dhënë deklaratat e tyre, që i posedon Prokuroria dhe Gjykata dhe në rast të ndryshimit të tyre, përballen me përgjegjësi penale.

Trupi gjykues ka vlerësuar se në bazë të shkresave të lëndës, fakteve, provave dhe informacioneve të tjera që posedon Gjykata, ndaj gjashtë të akuzuarve, nuk ekziston asnjë rrethanë konkrete e as provë e vetme që e bën të arsyeshëm frikën e bazuar se me gjetjen e tyre në liri apo caktimin e ndonjë mase më të butë, mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë provat apo të ndikojnë te dëshmitarët.

Ky pretendim i Prokurorit të Shtetit është refuzuar si i pabazuar dhe kjo ishte goditja tjetër e Gjykatës ndaj prokurorit Maloku, për të cilin në vendim thuhet se nuk ka arritur të konkretizojë e as të argumentojë se cili nga të akuzuarit me ndonjë fakt apo provë, ka tentuar një veprim të pretenduar ndikues ndaj dikujt.

Një propozim i tillë, duke përmendur si kusht ndikimin te dëshmitarët, Gjykata thotë se Prokurori i Shtetit, e ka bërë në mënyrë të përgjithësuar, pa asnjë bazë konkrete që e arsyeton dhe e fakton një gjë të tillë.

Si rezultat i elaborimit të të gjitha rrethanave të kësaj çështje dhe fakteve konkrete, Gjykata ka vlerësuar se vazhdimi i paraburgimit do të ishte masë e rëndë, prandaj ka vendosur se me masat e tjera alternative, mund të arrihet qëllimi i sigurimit të pranisë së të akuzuarve, në këtë rast me masën e dorëzanisë.

Kësisoj, edhe pse Maloku ka shpjeguar arsyet ligjore që sipas tij, ende nuk kanë pushuar, e për të cilat është vazhduar paraburgimi nga vendimi i fundit, i 2 gushtit, Gjykata ka konstatuar se kushti për ikjen e të akuzuarve si bazë e vetme për vazhdimin e paraburgimit, nuk ekziston, me ç’rast ka konsideruar se është përmbushur edhe kushti i dytë, si dhe kushti i tretë.

Pas mbajtjes së kësaj seance, ku Maloku nuk arriti që të bazojë dhe faktojë pretendimet e tij dhe humbi betejën me rastin e kërkesës për paraburgim, Gjykata ka nxjerrë urdhëresa të veçanta, për secilin veç e veç për dorëzani.

Kujtojmë se para se të paguhej dorëzania, familjarët e të akuzuarve janë përballur me një kurth të paprecedentë nga Policia, që me urdhër që nuk dihet akoma prej kujt ishte lëshuar, kishte sekuestruar fillimisht të hollat që ishin destinuar për t’i dorëzuar në Gjykatë.

Ndryshe, Prokuroria e Ferizajt, në dhjetor të vitit 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq dhe 11 personave të tjerë, në rastin “Brezovica 1”, të cilët ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim ndikimi, marrje e dhënie ryshfeti e armëmbajtje pa leje.

/GazetaSinjali/