image Kadetët e Policisë pritet ta rifillojnë trajnimin në numër të reduktuar

Kosovë

Kadetët e Policisë pritet ta rifillojnë trajnimin në numër të reduktuar

news image

Me shfaqjen e pandemisë në vendin tonë u ndërprenë shumë aktivitete, në mesin e tyre edhe procesi edukativo-arsimor i kadetëve të Policisë së Kosovës. Më 12 mars të këtij viti 432 kandidatë në javën e 18 u detyruan që ta ndërprejnë mësimin.

Akademia e Kosovës për Siguri Publike për Gazetën Sinjali ka bërë të ditur se trajnimi profesional “Polic i Ri” i gjeneratës të 55-të  është ndërprerë në javën e 18 të trajnimit. Sipas tyre përzgjedhja e opsionit për rifillimin potencial të trajnimit profesional do të bëhet në koordinim me Policinë e Kosovës duke respektuar rekomandimet e IKSHP-së dhe MSH-së.

Akademia ka thënë se trajnimet praktike do të zhvillohen në përputhje me Planin e Trajnimeve të vitit 2020, në numër të reduktuar.

“Trajnimet tjera do të zhvillohen në përputhje me Planin e Trajnimeve të vitit 2020, në numër të reduktuar, varësisht nga hapësirat e lira të cilat do t’i ketë në dispozicion AKSP”.

Akademia Policore ka theksuar se pjesa teorike e mësimeve është zhvilluar përmes platformave online, ndërsa për modulet tjera praktike do të koordinohen veprimet sipas rrethanave të reja të krijuara.

“Trajnimi profesional “Polic i Ri” i gjeneratës të 55-të në AKSP ka filluar më 11.11.2019, kurse është ndërprerë më datën 12.03.2020, në javën e 18 të trajnimit. Numri i përgjithshëm i vijuesve të trajnimit profesional është 432 kadetë. Përzgjedhja e modalitetit/opsionit për rifillimin potencial të trajnimit profesional “Polic i Ri” do të bëhet në koordinim me Policinë e Kosovës gjithmonë duke respektuar masat dhe rekomandimet e IKSHP-së dhe MSH-së. Akademia dhe  dhe Policia e Kosovës  bazuar në zhvillimet e fundit të pandemisë dhe me qëllim të ri-fillimit të trajnimit profesional konformë rrethanave të krijuara janë pajtuar që si opsion të fillohet me përgatitjet dhe vazhdimin për mësim online fillimisht të moduleve të pjesës teorike (përmes platformës online të mësimit në distance E-learning), ndërsa për modulet tjera praktike do të koordinohen veprimet sipas rrethanave të reja të krijuar”, thuhet në përgjigjen e ASKP-së për Gaztën Sinjali.

Zyra për media ka bërë të ditur se me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Akademia ka hartuar “Planin e vijimësisë së qeverisjes për AKSP”, i cili është përditësuar me 15 qershor. Në këtë plan janë përshkruar sjellja e personelit të Akademisë, në përputhje me udhëzimet e MPB-së në kohën e pandemisë dhe eventualisht pas saj.

“Po ashtu kemi hartuar “Protokolli për implementimin e rekomandimeve të MSH-së dhe IKSHP-së në vendin e punës”.  I gjithë personeli i AKSP-së, më datën 01.06.2020, me rastin e rikthimit në punë, ka marr pjesë në ligjëratën (prezantimin) “Vetëdijesimi i zyrtarëve lidhur me sëmundjen Covid-19, masat mbrojtëse dhe higjienën”,  të cilën e ka bërë mjeku i Akademisë”.

Siç kanë bërë të ditur për Gazetën Sinjali, Akademia ka ndërmarr veprime me qëllim që të krijojnë ambiente të sigurta të punës në përputhje me udhëzimet e MSH-së dhe IKSHP-së duke dezinfektuar të gjitha hapësirat në Akademisë Policore.

“Po ashtu Akademia ka ndërmarr veprime të shumta me qëllim që të krijojmë ambiente të sigurt të punës në përputhje me udhëzimet e MSH-së dhe IKSHP-së; Janë dezinfektuar të gjitha hapësirat në AKSP-së, janë vendosur dezinfektuesve të langëshëm për duar në hapësirat e frekuentuara në Akademi, janë shpërndarë maska për gjithë personelin e Akademisë, janë shenjezuar vendet e radhëve, me qëllim të ruajtjes të distancës 1.5 deri 2 metra, bëhet dezinfektimi javor i hapësirave, mirëmbajtja higjienike e hapësirave të objekteve të AKSP-së, kemi përgatit  preparatin dezinfektues sipas udhëzuesit të IKSHP-së për dezinfektimin e sipërfaqeve dhe pajisjeve të punës nga personeli respektiv i zyrave, janë vendos postera dhe udhëzime në vendet të frekuentuara të AKSP-së”.

Kosova për më shumë se katër muaj është duke u ballafaquar me pandeminë. Në javët e fundit numri i rasteve aktive me COVID-19 është rritur dukshëm. /Gazeta Sinjali/