Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka kërkuar që në pakon fiskale të Qeverisë së Kosovës, të përfshihen edhe nënat vetushqyese si dhe punëtorët pa kontrata.
Përmes një postimi në faqen e saj zyrtarë në Facebook, ajo ka thënë se pandemia i rrezikon më së shumti të dobëtit dhe të përjashtuarit.
“Në pakon fiskale emergjente të përfshihen edhe nënat vetushqyese dhe punëtorët pa kontrata Përkundër kufizimeve buxhetore, gjendja në vend e shkaktuar nga pandemia rrezikon më së shumti të dobëtit dhe të përjashtuarit. Në këtë rast konsideroj se në pakon emergjente fiskale duhet të përfshihen kategoritë e rrezikuara, duke studiuar nevojat dhe prioritetet”, ka shkruar deputetja.
Tutje, ajo ka shtuar se gjendja e nënave vetushqyese është e rëndë edhe në situatë normale.
“Nënat vetushqyese të cilat sfidohen edhe në situate normale, e lëre më tani në kohë pandemie, duhet të përkrahen urgjentisht. Gjithashtu, edhe punëtorët pa kontrata të cilët janë të shumtë në Kosovë pa fajin e tyre. Ata as nuk marrin rroga e as nuk mbulohen me pakon emergjente fiskale”, ka përfunduar ajo./GazetaSinjali/