Për një javë në Kosovë gjashtë persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në trafik, në mesin e tyre tre të rinj, shkruan Gazeta Sinjali.
Një 18-vjeçar vdiq sot në magjistralen Ferizaj-Gjilan, në afërsi të udhëkryqit afër fshatit Mirosale, ku sipas policisë aksidenti ka ndodhur shkaku i shpejtësisë së madhe.
Ndërkaq, aksidenti tjetër që la të vdekur një grua 67 vjeçare ka ndodhur dje në Gjakovë.
Dyshohet se gruaja ka humbur jetën në vetëaksident në Hereq të Gjakovës. Si pasojë e këtij aksidenti janë mbetur të lënduar rëndë edhe pesë persona të tjerë, por që janë jashtë rrezikut për jetë
Para dy ditësh, ka ndodhur një aksident tjetër në fshatin Piranë, në magjistralen Prizren-Gjakovë, ku i mori jetën dy të rinjve, një 22 dhe një 23 vjeçari.
Dyshohet se aksidenti është shkaktuar nga pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë së lëvizjes së automjetit, duke bërë që i riu të humb kontrollin dhe drejtimin e rrugës.
Në këtë aksident gjithashtu lëndime të rënda trupore dhe me rrezik jete ka pësuar edhe një pasagjer i cili është dërguar në QKUK në Prishtinë, ndërsa dy persona tjerë kanë pësuar lëndime të lehta trupore.
Këtë javë më 19 gusht, ndodhi një aksident i rëndë në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku humbi jetën një person.
Aksidenti ka ndodhur në afërsi të Suharekës, kilometri i 24-të, drejtimi për Prishtinë, ku si pasojë e aksidentit tre persona të tjerë kishin marrë trajtim mjekësor.
Gjatë kësaj jave, Gazeta Sinjali raportoi edhe për një tjetër vetëaksident me fatalitet në Mitrovicë, konkretisht më datë 17 gusht, ku humbi jetën një person.
Policia ka konstatuar se shkaku i aksidentit ishte pasi që viktima kishte humbur kontrollin mbi veturën e më pas ishte përplasur në mbrojtëset metalike të rrugës.
Gazeta Sinjali më poshtë ju sjell lajmet për secilin aksident që ka ndodhur gjatë kësaj jave.
Policia e Kosovës vazhdimisht ka bërë apel për kujdes të shtuar në komunikacion.