image Ish-kryesuesi i bordit ZRrE-së për blerjen e energjisë nga kompanitë serbe: Ata kanë qenë më të lirë

Sociale

Ish-kryesuesi i bordit ZRrE-së për blerjen e energjisë nga kompanitë serbe: Ata kanë qenë më të lirë

news image

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike ka mbajtur të enjten mbledhjen e radhës.

Para anëtarëve të komisionit ka dëshmuar ish kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), Ali Hamiti, i cili ka sqaruar rolin e ZRrE-së në periudhën 2006-2008 dhe procesin e shitblerjes së energjisë në atë periudhë.

Ai ka thënë se ZRrE-ja ka pasur rol vetëm kontrollues në shitblerjen e energjisë, pasi, tenderët janë shpallur nga institucionet të tjera.

“Atëherë ka qenë ligji i tillë që shitblerja e energjisë është bërë me tenderë. Janë shpallë tenderët dhe ata janë kontrolluar nga Ministria e Financave dhe kanë qenë publike me të gjitha ligjet që vlejnë në Kosovë. Ne e kemi pas të veçantë se për tenderë blerje dhe shitje të mëdha ka qenë një përfaqësues i yni në hapjen e tenderëve”, tha ai.

Mirëpo, anëtari i komisionit nga radhët e LVV-së, Armend Muja, tregoi disa shifra që sipas tij në periudhën 2006-2013, Kosova ka importuar 317 milionë euro nga kompanitë serbe, që kanë qenë të lidhura me ish regjimin shtypës të Millosheviqit.

Ai pyeti ish kryesuesin e bordit të ZRrE-së se kur i kanë licencuar këto kompani a e kanë ditur kush qëndron prapa tyre.

“Gjatë licencimit ne kemi pa pak importet se sa është blerë dhe tregtuar energji elektrike prej këtyre kompanive. Ndërmjet vitit 2006-2013, Kosova ka blerë 317 milionë euro energji elektrike. Nga ndërmarrja EFT i ka blerë 142 milionë euro energji elektrike, nga RoudNap 32 milionë euro energji elektrike, kurse nga GEN-Beograd 82 milionë euro energji elektrike. Këto janë të dhëna që janë konfirmuar. Tash pyetja është, a është ditur në atë kohë, ose jo fakti se EFT është në pronësi të Vuk Hamoviq, i cili ka qenë ish drejtor i projektit të Jugosllavisë, pastaj një bashkëpunëtorë i afërt i ish regjimeve shtypëse në Serbi. Të njëjtën kohë edhe i dyshuar dhe hetuar për korrupsion në tregtim të energjisë elektrike. Nga ai i kemi blerë 142 milionë euro energji elektrike ndërmjet këtyre viteve dhe licencën pikërisht ia ka dhënë ZRrE-ja. E dyta është RoudNap e Damir Fazlliq që i kemi blerë 32 milionë euro energji elektrike. A i keni diskutuar këto çështje gjatë dhënies së licencës”, tha ai.

Por, Hamiti tha atij dhe bordit nuk i ka interesuar se kush është prapa kompanive, vetëm a i respektojnë rregullat e parapara.

Ndërkohë, si arsye dha edhe çmimet e lira për të importuar energji elektrike nga këto kompani.

“Absolutisht jo, as nuk na kanë interesu. Këto kanë pasur licencë të cilave UNMIK iu ka dhënë, ne iu kemi vazhduar licencat që ju kemi plotësu kushtet e licencës. Prandaj janë rregullat dhe unë nuk e di as kush është pronar. Krejt që po i thua ti, e di që janë përmend këto firma, kjo me sa di ka qenë regjistruar në Londër dhe as nuk e kam di kush është as kush janë Hamoviq. Mbi të gjitha as nuk ka qenë detyrë e jona…Ata kanë qenë më të lirë, kanë aplikuar dhe për ato që po thu ti mundet me u marrë prokuroria”, theksoi Hamiti.

Në debat u përfshi edhe anëtari i komisionit nga radhët e LDK-së, deputeti Armend Zemaj, i cili pyeti se a kanë pasur përfaqësues shqiptarë këto kompani në Kosovë.

‘Këto kompani që po përfleten a ka pas përfaqësues shqiptarë në Kosovë, apo janë regjistruar”, pyeti Zemaj.

Për një gjë të tillë nuk u përgjigj Hamiti, por tha se jo vetëm EFTA, por gjithë tregtarët e tjerë kanë mundur me sjell energji elektrike në Kosovë.

“Jo veç EFTA por krejt tregtarët kanë mundur me pru energji elektrike në Kosovë. Një tregtar blen energji dhe dërgon kudo”, deklaroi Hamiti.

I pa kënaqur me përgjigjet e ish kryesuesit të ZRrE-së u shpreh deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj. Ai tha se Hamiti po relativizon blerjen nga kompanitë e Vuk Hamoviqit.

“U detyrova të marrë fjalën për disa arsye. E kam përcjellë intervistimin tuaj me shumë kujdes, sot keni bërë arsyetimi dhe relativizmin në mënyrë perfekte të blerjeve nga Vuk Hamoviqi dhe firmat tjera. Unë kam të drejtë me ju pyet”, shtoi ai.

Mirëpo, Hamiti i tha deputetit se nuk ka marrë vesh çka ka deklaruar ai.

“E kam shpjeguar por nuk e ke marrë vesh. Kam thënë shumë mirë, janë shpall tenderë, ata kanë qenë publik dhe ka pas kush me i kontrollu, nuk i ka kontrollu ZRrE-ja”, theksoi ai.

Pas këtij debati, kryesuesi i komisionit mbylli dëshmimin e ish kryesuesit të ZRrE-së, Ali Hamiti.

/GazetaSinjali/