image ​Bordi i KEK-ut kërkon sërish rritje të çmimit të rrymës, kritikohet nga Komisioni Hetimor

Sociale

​Bordi i KEK-ut kërkon sërish rritje të çmimit të rrymës, kritikohet nga Komisioni Hetimor

news image

Kryesuesi i Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Skënder Haziri po kërkon sërish shtrenjtim të energjisë elektrike për qytetarët, për të pasur siç tha ai investime dhe sistem të qëndrueshëm energjetik në vend.

Gjatë dëshmisë së tij në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike, Haziri ka folur edhe për transferimin e subvencionit qeveritar, miliona euro nga KEK-u tek kompania private KESCO për blerje të rrymës.

Fillimisht deputeti Pal Lekaj ka thënë se nuk ka qenë e arsyeshme të rritet çmimi i energjisë elektrike, derisa sipas tij në KEK janë derdhur miliona euro nga Qeveria dhe kjo korporatë ka plotësuar rreth 95 për qind të nevojave për qytetarët.

“Është bërë shtrenjtimi i rrymës pothuajse pa nevojë, ka pasur subvencione, milionat kanë shkuar dhe KEK ka qenë në gjendje diku 95 për qind me mbulu tërësinë për energjinë”, theksoi Lekaj.

Por këtë rritje e ka arsyetuar kryesuesi i Bordit të KEK-ut, Haziri dhe për më tepër tha se është e nevojshme të rriten sërish çmimet e energjisë elektrike.

“Nuk pajtohem që s’ka pasur nevojë me u rritë çmimi i energjisë, përkundrazi edhe tash ka nevojë me u rritë ky çmim, përkundër asaj që dikush mundet mos me u pajtua. Nëse dëshirojmë të bëjmë investime kapitale dhe të krijojmë një sistem të qëndrueshëm energjetik në Kosovë, bartës i së cilit është Korporata Energjetike e Kosovës, nuk kemi qare pa pasur mjete shtesë. Këto mjete shtesë nëse nuk i sigurojmë përmes afarizmit të ndërmarrjes, ne duhet me i marrë prej buxhetit të Kosovës”, theksoi Haziri.

Ndaj kërkesës së kryesuesit të Bordit ka reaguar deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila.

Shefja e GP të VV-së, i tha Hazirit se nuk është ftuar në komision të flasë për tarifat.

“Njëjtë sikur kryesuesi, kisha thënë edhe unë, se nuk jeni të ftuar këtu për tarifa. Sepse mënyra se si tarifohen ose si ngriten çmimet e energjisë elektrike është debat me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë”, tha ajo.

Pas kësaj pati edhe një përplasje ndërmjet kryetarit të Komisionit, Driton Selmanaj dhe deputetes Mimoza Kusari Lila, kur nuk iu dha fjala deputetes në fjalë.

Kusari-Lila, Selmanaj:

Kusari-Lila: Veç edhe një.

Selmanaj: Nuk jeni duke na ndihmuar neve tjerëve fare për të kuptuar situatën. Ne e kemi të ftuarin këtu për pyetje përgjigje.

Kusari-Lila: Çka e ke të paqartë zotëri Selmanaj, ta sqaroj?

Selmanaj: Nuk po më duhen sqarimet nga ana e juaj, të themi të drejtën. Ne kemi të ftuarin këtu dhe marrim përgjigje.

Gjatë këtij raportimi , kryesuesi Haziri ka komentuar edhe kërkesën e qeverisë, për milionat e subvencionit për KEK-un që janë bartur tek kompania private, KESCO për blerje të energjisë.

Haziri tha se kjo përgjegjësi bie mbi Ministrinë e Ekonomisë, sepse kjo ministri kështu ka vendosur.

“Edhe transferimi i mjeteve te KEK-u, është një marrëveshje për të cilën ka vendosur Ministria e Ekonomisë, edhe te rasti i kalimit(te KESCO), prapë kontrata është nënshkruar prej të njëjtit person. Ka qenë vendim i ministrisë dhe i qeverisë për me i kalu ato mjete nuk ka qenë vendim i KEK-ut. KEK-u e ka ekzekutuar një kërkesë të qeverisë”, tha ai.

Në këtë komision gjatë ditës është intervistuar edhe ish-ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të kompanisë publike KOSTT, Kadri Kadriu.

/GazetaSinjali/