image Abdixhiku: Bordi i ZRrE-së të shkarkohet, qytetarëve t'u kthehen paratë e plaçkitura kundërligjshëm

Politikë

Abdixhiku: Bordi i ZRrE-së të shkarkohet, qytetarëve t’u kthehen paratë e plaçkitura kundërligjshëm

news image

Zyra e Rregullatorit për Energji ka hequr dorë nga tarifat e shtrenjta të rrymës elektrike, që u vendosën më 8 shkurt. Përgjatë kësaj kohe, qytetarët dyshohet se kanë paguar rrymën me rritje deri në 100 për qind, ndërsa tani po kërkohet rikthimi i parave të qytetarëve, shkruan Gazeta Sinjali.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook ka thënë se qytetarët e Kosovës nga shkurti deri tani janë ‘detyruar të paguajnë kundërligjshëm rrymën me rritje deri në 100 për qind’.

Abdixhiku ka kërkuar që qytetarëve t’u kthehen të gjitha paratë që i kanë paguar për pjesën e çmimit të rritur.

I pari i LDK-së ka përsëritur kërkesën që bordi i ZRrE-së të shkarkohet sepse ‘nuk kanë më kredibilitet’.

Ai ka njoftuar se nga e hëna, partia që ai udhëheqë do të nisë të gjitha procedurat e nevojshme parlamentare në këtë drejtim.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Nga sot, fatura tuaja elektrike do të llogariten pa shtrenjtim. Por, nga shkurti e deri më sot, qeveria e paaftë e Kosovës ju ka detyruar të paguani kundërligjshëm rrymën me rritje deri në 100%.

Tarifat u detyruan t’i kthejnë. Tani duhet kthyer edhe paratë e plaçkitura kundërligjshëm për disa muaj rresht. Janë para tuaja; u janë marrë pa të drejtë. Dhe jo vetëm kaq. Bordi i Qeverisë e ZRRE-së, i njëjti që për muaj rresht e në mes të dimrit, ngarkoi familjet kosovare me çmime astronomike në energji – duhet të shkarkohet menjëherë. Ata s’kanë më asnjë kredibilitet.

Nga e hëna, LDK do të nisë të gjitha procedurat e nevojshme parlamentare në këtë drejtim. Kuvendi i Kosovës ka për detyrim sanksionimin e paligjshmërisë.

Shkarkimi është i paalternativë. Siç është e paalternativë dhe përgjegjësia morale e secilit deputet, ministër e vet kryeministrit që me bindje plot mbronin këtë vendim plaçke e diskriminimi që tani më ka marrë vulën e turpit e paligjshmërisë.

Ktheni paratë; shkarkojeni Bordin; mbani përgjegjësi!

/GazetaSinjali/