image IPK rekomandon suspendimin e policëve që ishin në vendin e ngjarjes kur Endrit Shala sulmoi gazetarin

Drejtësi/ IPK rekomandon suspendimin e policëve që ishin në vendin e ngjarjes kur Endrit Shala sulmoi gazetarin

news image

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarë policorë që ndodheshin në vendin e ngjarjes, kur Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, grushtoi gazetarin Ensar Ramadani.

Siç njofton IPK transmeton Gazeta Sinjali, rekomandimi për suspendim është bërë me dyshimin se zyrtarët policorë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare dhe për këtë dyshohet se është kryer vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Njoftimi i plotë i IPK-së:

IPK mbrëmë përmes “Linjës së Kaltër” (numrit të telefonit pa pagesë në IPK 080003333)  ka pranuar ankesën e qytetarit (gazetarit) për incidentin që është raportuar të ketë ndodhur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) .

Bazuar në autorizimet ligjore, hetuesit e IPK-së, me të pranuar ankesë kanë dalë në vend ngjarje.

Në vazhdën e veprimeve hetimore IPK ka njoftuar prokurorin kompetent dhe në koordinim me të njëjtin janë ndërmarrë disa veprime hetimore ndaj dy zyrtarëve policorë që kanë qenë prezent kur ka ndodhur incidenti.

Hetimet e IPK-së janë duke u zhvilluar me dyshimin se zyrtarët policorë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare dhe për këtë dyshohet se është kryer vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në konsultim me prokurorinë kompetente rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt, kurse IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës  suspendimin me pagesë për zyrtarët policorë në këtë rast.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka hapur rast ndaj Ministrit në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Lajmin e ka konfirmuar Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

“Me urdhër të prokurorit është hapur rasti për veprën penale ‘sulmi’. Prokurori ka autorizuar policinë për dhënien e deklaratave të personave në rast”, tha Ulaj për Gazetën Sinjali.

Ende nuk dihet nëse sot është intervistuar Shala nga Policia e Kosovës. /Gazeta Sinjali/