Gazeta Sinjali ka raportuar më parë se një epror i lartë i Policisë së Kosovës, Mendim Daka, është përfshirë në një përleshje.
E për këtë, kanë folur nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Sinjali ka raportuar se Daka ka sulmuar një pjesëtar të sigurimit fizik në qendrën tregtare “Grand Store”. Por nga IPK kanë thënë që incidenti ka ndodhur “mes një zyrtari policor dhe një qytetari“.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se IPK përmes Linjës së Kaltër është njoftuar për një incident në mes një zyrtari policor dhe një qytetari në “Grand Store”, hetuesit e IPK-së kanë dalë në vend ngjarje dhe janë duke e trajtuar rastin”, kanë thënë nga IPK.
E gjithë ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 11:00 në këtë qendër tregtare.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/