Gazeta Sinjali para pak minutash ka raportuar për arrestimin dhe ndalimin e pjesëtarit të NJRSH-së, Hasan Makolli, nga IPK, për shkak se i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “manipulim me prova”.
Inspektorati Policor i Kosovës përmes një komunikate për media, ka konfirmuar raportimin e Gazetës Sinjali, lidhur me arrestimin e pjesëtarit të NJRSH-së, Hasan Makolli, për shkak se ai u kishte dhënë udhëzime palëve të përfshira, në rastin e lëndimit trupor, se çka të deklarojnë ata para institucioneve përkatëse, transmeton Gazeta Sinjali.
Ai po ashtu, ka udhëzuar dëshmitarët që të fshijnë video-incizimet nga kamerat, të cilat kanë mundur të jenë provë materiale në procedurë penale.
“Pas marrjes së informacioneve nga IPK janë ndërmarrë një varg veprimesh hetimore me dyshimin se është kryer vepra penale “manipulim me prova” lidhur me një rast të “lëndimit trupor” që kishte ndodhur në Prishtinë dhe ishte raportuar në Policinë e Kosovës muaj më herët.
Zyrtari policor tashmë i arrestuar dyshohet se u ka dhënë udhëzime palëve të përfshira në rastin e lëndimit trupor se çfarë të deklarojnë ata lidhur me rastin si dhe ti fshijnë video incizimet nga kamerat të cilat kanë mundur të filmojnë momentin e incidentit ndërmjet qytetarëve.
Lidhur me veprimet hetimore të IPK-së është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe të dyshuarit në këtë rast me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar”, thuhet në raportin e IPK-së.