Inspektorati Policor i Kosovës për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar se kanë marrë disa veprime hetimore ndaj L. Meta, punëtor në Stafin Civil në Policinë Kufitare, i cili dyshohet se ka rrahur një fëmijë 12 vjeçar, pas një konflikti që ky i fundit kishte me djalin e tij, po ashtu i mitur.
IPK-ja ka theksuar se pritet të ndërmerren veprime drejt ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit.
“Inspektorati Policor i Kosovës të njëjtën ditë kur ka ndodhur incidenti është angazhuar në këtë rast duke përfshirë edhe pranimin e ankesës së qytetarit në fjalë. Nga hetuesit janë marrë disa veprime hetimore duke ju referuar edhe udhëzimeve nga Prokuroria Themelore në Gjakovë përderisa veprimet e tjera priten të ndërmerren drejt ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit në fjalë”, kanë thënë nga zyra për informim e Inspektorati Policor të Kosovës për Gazetën Sinjali.
Ndërsa, nga Policia e Kosovës për Gazetën Sinjali e kanë konfirmuar se kanë pranuar një ankesë nga një qytetar.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka pranuar një ankesë nga një qytetar, për të cilën është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës për trajtim dhe kompetencë të mëtejme”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Gazeta Sinjali gjatë ditës së djeshme ka raportuar se familjarët e viktimës kanë pretenduar se L. Meta e ka sulmuar djalin e tyre, duke e kapur për fyti dhe për këtë kanë bërë ankesë në polici.
I dyshuari për Gazetën Sinjali e ka mohuar duke thënë se i mituri është rrëzuar vetë nga biçikleta.
“Rastësisht e takova në mahall atë djalin, edhe kur më pa ai me biçikletë në momentin që më ka pa prej frikës edhe u rrezua me biçikletë. Kur u qu unë ju afrova, ai tëm falsh burrë tëm falsh burrë, i thash ku e ki babën, më tha në Gjermani u mbet shkaku i koronavirsuit. I thash kur të vjen babai i kom dy fjalë me ta edhe kaq”, ka thënë L. Meta. /Gazeta Sinjali/.