Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dje një zyrtar policor (i stacionit policor Zubin Potok) me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Manipulim me prova “.
Sipas njoftimit, hetuesit e IPK-së janë njoftuar nga Policia e Kosovës, stacioni policor i Zubin Potokut se zyrtari policor ishte paraqitur në këtë stacion policor.
“Ky punonjës policor (tashmë i arrestuar) dyshohej se që nga muaji shkurt i vitit 2020 ndodhej jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
IPK në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë kishte filluar një hetim që nga shkurti i vitit të kaluar ndaj zyrtarit të dyshuar për veprat e lartcekura penale e që dyshohet ti ketë kryer deri sa ka punuar në pozitën e zyrtarit përgjegjës për Dhomën e Dëshmive në Stacionin policor në Zubin Potok.
Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore ku pas intervistimit zyrtari policor është arrestuar kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.”