image Inspektohen automjetet e rënda transportuese, shqiptohen dhjetëra gjoba

Siguri

Inspektohen automjetet e rënda transportuese, shqiptohen dhjetëra gjoba

news image

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektorët e Ministrisë së Infrastrukturës, kanë zhvilluar një aksion të përbashkët për inspektimin e automjeteve të rënda të transportit rrugor, më ç’rast kanë shqiptuar dhjetëra gjoba.

Gjatë këtij inspektimi ishte edhe Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ku tha se ky aksion ka të bëjë me kontrollin e transportit të peshave të rënda, si dhe për ngritje të vetëdijes qytetare për rrezikun në rrugë.

Ministri Abrashi ka thënë se përveç ngritjes së vetëdijes, po bëhet edhe një kontroll teknike, në pikat e ndryshme të Kosovës.

“Tani jemi për të bërë një kontroll rutinore, të ngrisim vetëdijen dhe t’i marrim parasysh vendimet dhe rekomandimet e grupit punues të cilit është duke punuar tash e disa muaj në ministri, në mes të eksperteve me të mirë të ministrisë dhe policisë për ti evidentuar pikat, le të themi njollat e zeza në komunikacion, në mënyrë që t’i trajtojmë secilën një nga një. Ideja themelore është që ne të punojmë në vazhdimësi për t’i eliminuar rreziqet në rrugë dhe për të ngritë vetëdijen në transportin rrugorë, rrezikshmërinë dhe për një transport të sigurt. Ajo çka kemi planifikuar këtë vit, dhe muajt e ardhshëm është që në kuadër të ngritjes së vetëdijes, të kemi edhe një kontroll teknike, mobile e cila do të vendoset në pika të ndryshme të Kosovës e cila do të ndikoj në uljen e rrezikshmërisë dhe siguri me të lartë në rrugë”, ka thënë Abrashi.

Ndërsa, Drejtori i inspektoratit, Qerkin Dukolli ka theksuar se vetëm këto dy ditë janë shqiptuar mbi 40 gjoba kundërvajtje të ndryshme ndaj automjeteve të transporteve të rënda.

“Deri në momentin kur po flasim janë mbi 40 parregullsi që janë hasur, në kundërvajtje të ndryshme për të cilat janë shqiptuar dënime sipas dispozitave ligjore që i parasheh ligji… Ajo çfarë është me interes për ta thënë, i tërë ky aksion e ka vetëm një qëllim, ngritja e sigurisë në komunikacionin rrugor. Ne po investojmë në infrastrukturë rrugore, ne duhet të investojmë që sa me tepër në sinjali stikë, faktorin teknik të automjeteve. Ky ka qenë kontroll teknik i jashtëzakonshëm dhe ajo çfarë është e mirë, domethënë të iu bëjmë apel të gjithë ngasësve në komunikacion që të respektojnë shenjat e komunikacionit, që t’i mirëmbajnë automjetet e tyre dhe të ngasin në mënyrë të sigurt sepse vetëm kështu e ngrisim sigurinë, e ulim numrin e aksidenteve me fatalitete dhe dëme materiale”, ka thënë Dukolli.

Ndërkaq nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Jeton Rexhepi deklaroi se fokus i këtij inspektimi është kontrolli i automjeteve të rënda për gjendjen teknike, përderisa ka theksuar se për kontrolle teknike janë shqiptuar dënime deri 150 euro.

“Fokusin e kemi pasur tek sistemi i drejtimit, i frenimit dhe sistemi ndriçues, por edhe pjesë tjera do të thotë elemente teknike të automjetit siç janë edhe gomat, pjesë të gjamit përparme, apo hapësirës tjetër të mjeti. Janë dënimet të cilat, sidomos të kontrollet teknike të automjeteve, janë dënimet 150 euro për shofer, mirëpo edhe në shumë më të larta për personat juridik apo personat përgjegjës apo edhe kompanitë përkatëse”, ka thënë Rexhepi.

Në fund u bë thirrje që pjesëmarrësit në trafik të jenë të kujdesshëm në trafik. /Gazeta Sinjali/