Instituti Kombëtar i Shëndetësisë publike ka publikuar bilancin e rasteve të reja gjatë ditës së sotme, teksa 52 kanë rezultuar pozitiv ndërsa 39 janë shëruar.
Me rritjen e këtyre rasteve IKSHKP-ja bën apel te qytetarët që të vendosin maskat mbrojtëse, për shkak se morespektimi i masave po shkakton rritje të numrit të rasteve, transmeton Gazeta Sinjali.
“Si pasojë e mos bartjes së maskave nga ju, qytetarë të nderuar, po rrezikohet shëndeti i juaj dhe i qytetarëve të tjerë dhe po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar”, thuhet në njoftimin e IKSHKP-së.
Ndërsa, me hapjen e organizimit të dasmave IKSHKP-ja kërkon që të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve.
“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”, thuhet në njoftim.
IKSHPK-ja tutje në njoftim thotë se përpjekjet e derisotme mund të shkojë huq për shkak të pakujdesisë dhe mosrespektimit së tri rregullave themelore: mbajtjen e distancës fizike, mbajtjen e maskave dhe larjen e duarve me kujdes disa herë në ditë, për 20-30 sekonda. /Gazeta Sinjali/