A.J., (emër i njohur për redaksinë) i është vjedhur vetura e tipit “BMW”, në oborrin e shtëpisë së tij, në Graçanicë, në vlerë të 90 mijë eurove, raporton Gazeta Sinjali.
Pronari i veturës i ka thënë Sinjalit se dikush ka hyrë në shtëpinë e tij ku ka vjedhur çelësat e veturës dhe një çantë me dokumente.
Në çantë ai thotë se kishte: pasaportat, patentë shoferin, letërnjoftimin, librezën e qarkullimit të veturës, policën e sigurimit dhe TPL, si dhe kartelën e vaksinimit.
Lidhur me këtë rast kishte raportuar edhe Policia e Kosovës, në raportin 24-orësh, të cilin e kishte cilësuar si “Vjedhje të rëndë”.
“Graçanicë 16.10.2021 – 03:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se nga persona të panjohur, i është vjedhur vetura e tij me targa vendore. Po ashtu, të njëjtit me forcë kanë depërtuar brenda shtëpisë së tij dhe kanë vjedhur një çantë dore, me dokumente personale dhe një shumë parash. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhej në raportin e Policisë.
Mirëpo, edhe pas gati dy muajsh, hetimi i Policisë nuk solli rezultate.
Andaj, në një prononcim për Gazetën Sinjali, A.J., kërkoi ndihmë nga qytetarët për ta gjetur veturën e tij.
Madje, ai premton se do ta shpërblejë personin i cili i jep informacion që rezulton me gjetjen e BMW-së.
“Policia po e heton, por kam nevojë edhe për ndihmën e mediave. Unë do ta shpërbleja personin që më jep informacion për veturën. Informacioni i saktë shoqërohet me një shpërblim të mirë monetar”, tha ai për Sinjalin.
Personat që mund të kenë informacion për vendndodhjen e veturës, luten që të kontaktojnë me pronarin në numrin: 048888852 ose me Stacionin e Policisë në Graçanicë në numrin: 038564292./GazetaSinjali/