image Ia kallën duart dhe u tallën me të, shitësi i cigareve thotë se videoja është bërë me dëshirën e tij

Kosovë

Ia kallën duart dhe u tallën me të, shitësi i cigareve thotë se videoja është bërë me dëshirën e tij

news image

Shitësi i cigareve, Faton Gashi, i cili ndryshe njihet me pseudonimin Bitta, ka deklaruar sot për videon që u publikua ku shihen disa të rinj që qeshin me të, teksa i vënë flakën duarve të tij në një tavolinë, shkruan Gazeta Sinjali.

Gashi ka thënë se rasti ka ndodhur më 31 tetor të këtij viti dhe video është bërë me dëshirën e tij për të bërë famë dhe se nuk ka pësuar lëndime trupore nga rasti.

Ai po ashtu u shpreh se ka folur edhe me Policinë, të cilëve u ka thënë se personat e përfshirë në video i ka shokë që një kohë të gjatë dhe rri çdo ditë me ta.

Ndërkaq, pronari i kafenesë “Oh my Caffe”, Dardan Bunjaku, theksoi se është bërë një keqkuptim i madh, sepse video është bërë me dëshirën e Gashit në formë shakaje.

“Video u bo madje me telefonin e tij dhe është bo si një lloj shakaje. Bitta  rri në këtë lokal natë e ditë, këtu han, këtu pin, është sikur i shpisë edhe të gjithë e dinë që na e kemi një raport shumë të mirë me të dhe i ndihmojmë vazhdimisht.”, ka thënë Bunjaku në Klan Kosova.

Ai ka thënë po ashtu se pas publikimit të videos, i kanë shkruajtur shumë persona dhe e kanë sharë, por që thotë se ai vetë është kundër këtij gjesti dhe nuk ka qenë pjesë e tij.

“Jena kanë në mbyllje të lokalit. Ka qenë një tavolinë e fundit, unë nuk kom qenë aty, kom qenë me një tavolinë tjetër, por pasi që ka ndodhur rasti më ka tregu Bitta që e bonëm një shaka, e bonëm një video bile bojke hajgare ‘kom m’u bo i famshëm pas kësaj videojë’. Po e kanë keqinterpretu njerëzit se unë vetë personalisht jom kundër këtyne gjerave se më kanë shajtë e më kanë shkrujtë plot, po ata nuk e dinë që une Bittën e kom si të shpisë se ky qëtu rrin, qëtu han e krejt.”, shtoi tutje ai.

Ndryshe, nga Policia e Kosovës e kanë konfirmuar për Sinjalin se personat e përfshirë në këtë rast janë duke u intervistuar.

“Sa i përket ngjarjes në fjalë, policia është duke e trajtuar në koordinim të ngushtë me prokurorinë. Aktualisht personat e përfshirë më këtë ngjarje janë duke u intervistuar. Pas përfundimit të fazës fillestare të hetimit, do të njoftoheni me detaje”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

/Gazeta Sinjali/