image "I kanë ndjekë me veturë dhe kanë dalë me armë e shufra si kauboj", rrëfimi i babait të nxënësit që u kërcënua nga polici në Viti

Siguri

“I kanë ndjekë me veturë dhe kanë dalë me armë e shufra si kauboj”, rrëfimi i babait të nxënësit që u kërcënua nga polici në Viti

news image

Zyrtari policor në Viti, Nexhmedin Haxhiu, është suspenduar nga Inspektorati Policor i Kosovës, nën dyshimin se ka kanosur disa nxënës të shkollës së mesme teknike në Viti. Gazeta Sinjali sot raportoi për suspendimin e Haxhiut, që u konfirmua edhe nga Policia e IPK-ja. Babai i njërit nga nxënësit që dyshohet se u kërcënua nga polici Haxhiu me djemtë e tij ka rrëfyer këtë ngjarje për Gazetën Sinjalin. E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për një numër që viktimat ua kërkuan djemve të policit Haxhiu.

Babai i njërit nga nxënësit që u kërcënua më 3 nëntor, në fshatin Kabash të Vitisë, ka thënë për Sinjalin se polici me djemtë e tij e kishin ndjekur me veturë djalin e tij me shokë deri në fshatin Kabash, ku edhe i kanë kërcënuar. Sipas tij e gjithë kjo ngjarje ka ndodhur për shkak të një numri.

 “Nxënësit kanë pasur me bë një organizim, për shëtitje, në Brezovicë a Prevallë edhe djemtë e policit Nexhmedinit e kanë pasur numrin e agjencisë të autobusit. Ata janë në të njëjtën shkollë. Djemtë, djali jem me shokë ua kanë kërkuar numrin, ata u kanë thënë nuk ua japim dhe më pas i kanë sharë.  Ata (polici me djemtë e tij) kanë ikur nga aty, kanë hipur në një veturë dhe i kanë ndjek djalin tim që ishte me shokë deri në fshatin Kabash, përballë xhamisë. Aty djali me shokë janë ndalur për ta lënë një shok, kurse polici me djem kanë dalë si kauboj“, tha ai për Sinjalin.

Ai tutje ka rrëfyer se në ato momente, polici ua kishte mbajtur në kokë armën, derisa djemtë e tij  “kanë bërë çka kanë dashur”, duke i traumatizuar nxënësit.

“Polici e ka nxjerr revolen, kurse djemtë e tij i kanë nxjerrë shufrat e Policisë, ku u ka shkruar ‘police’. Djemtë e tij kanë bë çka kanë dashtë se ky (polici) ua ka majtë revolen në kokë secilit. Janë shumë dëshmitarë për këtë ngjarje. Fëmijët janë traumatizuar pas këtij rasti”, shtoi babai i nxënësit tutje për Sinjalin.

Babai i nxënësit që u kërcënua, tutje tha se janë disa dëshmitarë që kanë dhënë dëshminë për këtë ngjarje dhe shpresojnë që të merren masat adekuate për këtë rast.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/