image Ekskluzive | Dogjën Range Roverin e familjes Sinani në Prishtinë – arrestohet në Jarinjë i dyshuari që kërkohej prej muajsh

Sinjalizime

Ekskluzive | Dogjën Range Roverin e familjes Sinani në Prishtinë – arrestohet në Jarinjë i dyshuari që kërkohej prej muajsh

news image

Një zhvillim i rëndësishëm ka ndodhur në rastin e djegies së një veture luksoze në Prishtinë, ngjarje që kishte ndodhur në nëntor të vitit të kaluar dhe që kishte mbetur për muaj të tërë nën hetime.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se më 16 nëntor 2025, rreth orës 21:39, ishte raportuar një zjarrvënie në rrugën “Fadil Vata” në Prishtinë, ku cak i sulmit ishte një veturë Range Rover, me ngjyrë të zezë, në pronësi të familjes Sinani.

Menjëherë pas raportimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë policore, ekspertët e zjarrit dhe ekipet e zjarrfikësve, të cilët kishin lokalizuar flakët dhe kishin parandaluar përhapjen e tyre. Megjithatë, automjeti kishte pësuar dëme të konsiderueshme si pasojë e zjarrvënies.

Hetimet e zhvilluara për muaj me radhë nga Njësia e Hetimeve të Prishtinës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kanë rezultuar me identifikimin e personave që dyshohet se qëndrojnë pas këtij rasti.

Sipas burimeve, fillimisht ishte identifikuar njëri nga të dyshuarit, ndërsa hetimet kishin vazhduar për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Si rezultat i veprimeve të mëtejshme operative, hetuesit kanë arritur të identifikojnë edhe të dyshuarin e dytë, Behar Halili, i cili prej kohësh ishte në kërkim policor lidhur me këtë rast.

Më 4 qershor 2026, Halili është ndaluar nga autoritetet në Pikën Kufitare të Jarinjës, në momentin kur po tentonte të hynte në Kosovë. Pas ndalimit, ai është shoqëruar në zyrat e Njësisë së Hetimeve në Prishtinë, ku është intervistuar në prani të organeve kompetente.

Pas intervistimit dhe shqyrtimit të provave të mbledhura deri më tani, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij, ndërsa i njëjti është dërguar në mbajtje.

Burimet bëjnë të ditur se në këtë rast si të dyshuar figurojnë Ilir Maliqi dhe Behar Halili, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar motivin e zjarrvënies, rolin e secilit të dyshuar dhe rrethanat e plota që çuan në djegien e automjetit.

Rasti po trajtohet nga organet e drejtësisë si “Shtytje në zjarrvënie”, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ndërmerren veprime të tjera procedurale ndaj të dyshuarve.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/