Në kuadër të Planit Operativ ‘Stop Drogës në shkolla”, hetuesit kanë kapur sot me marihuanë një 20-vjeçar në Gjilan.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se i dyshuari është kapur te stadiumi i qytetit në Gjilan, ku me të parë policinë, 20-vjeçari i kishte gjuajtur për t’i fshehur në tribuna dy cigare të përziera me marihuanë.
Në prezencë të një dëshmitareje, i dyshuari ka pranuar se substanca narkotike është e tij dhe të njëjtën e ka pasur për konsumim personal.
I dyshuari dhe dëshmitarja janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa hetuesit kanë bërë matjen e provave, ku dy cigaret me marihuanë kanë peshuar 1.52 gramë.
Sipas burimeve, nga njësiti i DHTN-së është bërë edhe testi fushor dhe se të njëjtit kanë rezultuar pozitiv në test fushor të llojit Marihuanë.
Prokurori kujdestar është njoftuar lidhur me rastin dhe ka urdhëruar që pas intervistimit, i dyshuari dhe dëshmitarja të lirohen në procedurë të rregullt.