image Hyri në të kuqen, bëhet “llom” nga policia dhe përfundon në spital me tre brinjë të thyer

Siguri

Hyri në të kuqen, bëhet “llom” nga policia dhe përfundon në spital me tre brinjë të thyer

news image

Gazeta Sinjali sot raportoi se një qytetar në Gjakovë ka përfunduar në spital për shkak se ndaj tij është përdorur dhunë nga policia, me arsyetimin se nuk i është bindur urdhrit për t’u ndalur, pasi që nuk kishte respektuar rregullat e komunikacionit.

Nga policia për Gazetën Sinjali kanë thënë se për trajtim në spital me qytetarin ka shkuar edhe një zyrtar policor, i cili, sipas tyre, kishte pësuar lëndime gjatë arrestimit të qytetarit.

Por, sipas policisë, qytetari nuk kishte lëndime serioze. Madje, në përgjigjen e tyre thuhet se ai ka pasur vetëm “gërvishtje në fytyrë” nga “dhuna e butë” që zyrtarët policorë u detyruan ta përdornin.

Por, një deklarim i tillë i policisë është demantuar nga burimet e Gazetës Sinjali brenda Spitalit të Gjakovës, të cilët në kushtet anonimitet thanë se:

“Qytetari i sjellë në shoqërim të policisë, i cili ishte arrestuar për shkak të mosrespektimit të urdhrave të policisë, ka pësuar lëndime të rënda trupore, më saktësisht deri më tani janë konfirmuar tri brinjë të thyera”.

Në pyetjen e Sinjalit se a është e vërtetë se qytetari ka pasur vetëm gërvishtje në fytyrë, përgjigjja ishte se është e pavërtetë dhe se lëndimet trupore që qytetari ka pësuar nga policët, janë shumëfishë më të mëdha.

Se ekziston dyshimi që ka elemente të veprës penale në këtë rast, provohet me përgjigjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për Gazetën Sinjali.

“Mund të konfirmoj që hetuesit tanë janë të informuar për rastin dhe janë në vendin e ngjarjes dhe janë duke marrë veprime hetimore, konform autorizimeve ligjore të Inspektoratit Policor. Hetuesit janë ende atje, në Gjakovë”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Ndërkaq nga Prokuroria Themelore në Gjakovë thanë për Gazetën Sinjali se informacione për këtë rast me mediat mund të ndajnë vetëm nesër në mëngjes./Gazeta Sinjali/