image “Hiqeni foton e policit Ferid Leci ose shihemi kur të vij në Kosovë”, Enis Kastrati kërcënon gazetarët e Gazetës Sinjali

Siguri

“Hiqeni foton e policit Ferid Leci ose shihemi kur të vij në Kosovë”, Enis Kastrati kërcënon gazetarët e Gazetës Sinjali

news image

Pak orë pasi që Gazeta Sinjali publikoi lajmin se polici, Ferid Leci është vetëdorëzuar në polici, pasi fillimisht u arratis dhe u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në veprimtari ilegale në zonën e Karaçevës, redaksia ka pranuar disa mesazhe kërcënuese dhe fyese në adresë të saj nga një person me emrin Enis Kastrati, në Facebook.  

Enisi shan dhe ofendon gazetarët për shkak se thotë se ky lajm dhe veçanërisht publikimi i fotografisë së policit Leci e ka nervozuar shumë.

Sipas tij, polici i dyshuar për përfshirje në veprimtari ilegale në zonën e Karaçevës do të dalë i pafajshëm.

“Hiqjani foton Ferdit (policit Ferid Leci). S’keni të drejtë t’ia postoni foton në këtë m*t faqe. R*** në p*** ua q****. Oh p****. Kush jeni ju?”, ka shkruar ai.

Enis Kastrati

Ai kërcënon gazetarët e Gazetës Sinjali se do “t’ua tregojë qejfin” kur të kthehet në Kosovë.

“Ky m*t virusi nuk po më lejon të vij në Kosovë, se ua kisha treguar qejfin. Mos t’ua ndien juve fare se (polici Leci) do të dalë i pafajshëm. Kur të hiqet karantina ne shihemi se nuk kam pse t’i frikohem policisë”, vazhdon të kërcënojë ai.

“ Ju mua më keni nervozuar që ia keni publiku fotografinë”, ka shkruar ndër të tjera Enis Kastrati në adresë të Gazetës Sinjali.

Për shkak të gjuhës ofenduese që ka përdorur Enis Kastrati, biseda e plotë nuk është publikuar.

Polici Ferid Leci u vetëdorëzua sot në polici, pasi fillimisht u arratis dhe u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës gjatë aksionit në zonën e Karaçevës.

Polici Ferid Leci

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, Leci do të dërgohet në mbajtje për 48 orë.

Pasi nuk arritën ta arrestojnë, forcat e rendit bastisën mbrëmë shtëpinë e Ferid Lecit në Hodonoc të Kamenicës, brenda së cilës u gjetën armë zjarri pa leje, para të gatshme dhe gjësende tjera të kundërligjshme. 

Në shtëpinë e tij dyshohet se janë sekuestruar edhe disa telefona celularë të cilët do të dërgohen për ekzaminim, nga ku pritet që të nxirren prova për të mbështetur pretendimet e prokurorisë për veprimtaritë ilegale të të dyshuarit.

Në një distancë prej rreth dy kilometra nga shtëpia e tij, përballë një restoranti në dalje të fshatit Hodonoc, është lokalizuar edhe një stallë me rreth 100 krerë lopë, e cila dyshohet se është në pronësi të policit të vetëdorëzuar dhe familjes së tij.

Bëhet e ditur se lopët janë sekuestruar nga AUVK-u me dyshimin se janë të kontrabanduara dhe është dobi pasurore e fituar me vepër penale.

Gazeta Sinjali pak më parë raportoi se mbi 60 krerë lopë që u konfiskuan nga ferma e policit Leci dhe që nga AUVK rezultuan të ishin të kontrabanduara, janë dërguar për t’u therur për mish për të burgosurit e Burgut të Dubravës.

Leci dyshohet se nuk pati guxim për luftimin e krimit dhe korrupsionit në zonën ku shërbeu për një kohë të gjatë, prandaj dyshohet se iu bashkua grupeve kriminale që në mënyrë ilegale arritën të përfitonin materialisht.

Gazeta Sinjali sot po ashtu raportoi sot se Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim edhe vëllain dhe nipin e policit Leci, të cilët dyshohen se janë pjesëmarrës në veprimtaritë ilegale për të cilat dyshohet edhe polici, Ferid Leci./Gazeta Sinjali/

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.