Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në ceremoninë e fundvitit, e organizuar nga Policia e Kosovës.
Në këtë ceremoni u ndanë medalje, lëvdata, shpërblime dhe mirënjohje për zyrtarët policorë të cilët arritën rezultate të larta në punë, ndërsa Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook tha se i beson Policisë dhe ndjehet krenar me ta.
“Unë i besoj Policisë së Kosovës. I kam parë në punë, në sfida të përditshme e përballje, në sigurim të rendit publik. Janë për admirim dhe meritojnë respektin tonë! Sot, në pritjen për fundvit në Policinë e Kosovës, me shumë krenari fola për policinë tonë, policinë e secilit qytetarë pa dallim”, shkruan Haradinaj.
Haradinaj tha se “Isha aty për ta nderuar punën e polices dhe policit në përmbyllje të një viti të suksesshëm në rendin publik, qetësinë, sigurinë e jetës dhe pronës”.
“Jam i lumtur që Kosova dhe institucionet e vendit kanë treguar kujdes dhe e kanë kthyer fokusin në pozitën e policisë së Kosovës që të kenë vëmendjen që meritojnë në pagat, në koeficientet e rrezikshmërisë, orët shtesë dhe çështje tjera kyçe për integritetin profesional të policit. Ende ka punë për t’u bërë dhe nuk do të ndalemi. Meritorë të suksesit të Policisë së Kosovë, jeni ju të gjithë qytetarë që i besoni misionit human të këtij institucioni. Policia jonë, ka treguar profesionalizëm të madh të përgjegjësisë në rendin publik e siguri dhe i inkurajoj që këtë përgjegjësi ta ndjejnë edhe në të ardhmen. Respekt dhe krenar!”, përfundon ai. /Gazeta Sinjali/