image Haliti: 3 të prekur me koronavirus nga Vitia janë shëruar, shumë të tjerë janë afër shërimit

Kosovë

Shëndetësi/ Haliti: 3 të prekur me koronavirus nga Vitia janë shëruar, shumë të tjerë janë afër shërimit

news image

Nga 45 personat që kanë rezultuat pozitivë në testin për koronavirus deri tani në Komunën e Vitisë e cila është komuna e parë e prekur nga ky virus, tre prej tyre janë shëruar, shkruan Gazeta Sinjali.

Këtë për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti i cili tha se edhe shumë të tjerë janë drejt shërimit.

“Komuna e Vitisë është fatkeqësisht komuna e parë në nivel vendi e prekur nga virusi pandemik COVID-19. Nga ky virus deri më tani janë prekur 45 qytetarë, 3 prej tyre veçse janë shëruar dhe shumë të tjerë janë afër shërimit”, tha ai.

Haliti tha se personat e prekur me koronavirus vijnë nga qyteti i Vitisë dhe nga fshatrat: Ramjan, Pozhoran, Skifteraj, Smirë dhe Gushicë.

Me menaxhimin e kësaj situate i pari i Vitisë thotë se po ia dalin mirë, falë bashkëpunimit të institucioneve, donatorëve, njerëzve të vullnetit të mirë e përgjegjshmërisë së qytetarëve.

“Si komuna e parë që është prekur nga ky virus, kemi pasur dhe kemi sfida në menaxhimin e kësaj situate. Megjithatë, falë donatorëve kemi arritur të sigurojmë 4000 pako ushqimore dhe higjienike për të cilat qytetarët kanë nevojë dhe për këtë dua të falënderoj secilin”, tha Haliti.

Në fund, kryetari i Vitisë u bërë thirrje bashkëqytetarëve të tij që të mbajnë distancën sociale, higjienën personale, të mos mblidhen dhe të ndjekin udhëzimet e ekpertëve, sepse “bashkarisht do ta kalojmë edhe këtë sfidë”./Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/302386263765011/videos/756287384904464/